Kinezët dhe indianët paguhen më së shumti në Britani të Madhe


Gazeta Express
10 Korrik 2019 8:31

Sipas disa të dhënave të hollësishme për të ardhurat e punëtorëve, që janë publikuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, punëtorët me prejardhje etnike nga Kina dhe India marrin paga më të larta se të gjitha grupet e tjera në Britani të Madhe, madje më shumë sesa vetë britanikët.

Sidoqoftë, këto të dhëna tregojnë se të gjitha grupet e tjera etnike pagune më pak sesa britanikët e bardhë. Zyra për Statistika Kombëtare njoftoi se punëtorët me prejardhje nga Bangladeshi janë më të diskriminuarit në paga, sepse mesatarisht paguhen për 20 për qind më pak se britanikët e bardhë.

Mesatarisht, punëtorët që i përkasin komunitetit pakicë paguhen për 3.8 për qind më pak se britanikët. Në vitin 2018, punëtorët nga grupi etnik i kinezëve është paguar për 30.9 për qind më shumë se britanikët e bardhë.

Hugh Stickland, analist i lartë i Zyrës për Statistika Kombëtare, tha: “Në përgjithësi, punëtorët nga grupe të caktuara etnike, siç janë indianët dhe kinezët, kanë të ardhura mesatare më të larta sesa kolegët e tyre britanikë”.

“Megjithatë, të gjitha grupet e tjera etnike kanë paga mesatare më të ulëta sesa punëtorët e bardhë britanikë. Punëtorët nga Bangladeshi e kanë dallimin më të madh, sepse paguhen mesatarisht 20 për qind më pak se britanikët”, shtoi ai.

Bazuar në statistikat e publikuara, të cilat e përfshijnë periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2018, grupi etnik i kinezëve paguhet më së shumti. Një punëtor kinez gjatë kësaj periudhe i ka fituar mesatarisht 15.75 funte për një orë punë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart