Kina ia ka zënë vendin Shteteve të Bashkuara si partnerja më e madhe tregtare e Bashkimit Evropian në kohën kur pjesa tjetër e botës po përballet me tkurrje ekonomike.
Shteti komunist e mori këtë epitet në tregtinë me BE-në gjatë çerekut të tretë të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe, numri i madh i infeksioneve në ShBA e pengoi aktivitetin ekonomik, ndërsa ekonomia kineze, në anën tjetër, lulëzoi.
Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, shkëmbimi tregtar mes Bashkimit Evropian dhe Kinës ishte 425.5 miliardë euro ose rreth 514 miliardë dollarë, ndërsa tregtia mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara kishte vlerën e 412 miliardë eurove.
Për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregtia e Bashkimit Evropian me Kinën ishte 413.4 miliardë euro, ndërsa me Shtetet e Bashkuara 461 miliardë euro, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Eurostat-i tha se ky rezultat është për shkak të rritjes prej 4.5 për qind të importeve nga Kina, ndërsa eksportet kanë mbetur në nivelin e njëjtë.
Për të njëjtën periudhë, tregtia e Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara pësoi rënie prej 11.4 për qind në importe dhe 10 për qind në eksporte.
Pas pësimit të një rënieje në çerekun e parë të këtij viti, ekonomia kineze e mori veten më vonë, duke shënuar rritje në çerekun e tretë në krahasim me vitin e kaluar.