Kim Jong-un paralajmëron rikthimin e tensioneve, Trump falënderon Putinin


Gazeta Express
27 Prill 2019 19:04

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha presidentit rus Vladimir Putin se paqja dhe siguria në gadishullin Korean vareshin nga Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se gjendja e tensionuar mund të rikthehej lehtë, njoftoi media e Koresë së Veriut.

Vërejtjet e Kim gjatë bisedimeve me Putin të enjten kishin për qëllim që ta shtynin Uashingtonin të jetë më fleksibël për kërkesat e Koresë së Veriut për lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili përfundoi një takim të dytë me Kim në shkurt, pa një marrëveshje që Korea e Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore, tha se shumë përparime u bënë drejt një marrëveshjeje dhe mirëpriti mbështetjen e Putinit.

Presidenti Putin tha pas mbajtjes së bisedimeve të para ballë për ballë me Kim në portin rus të Paqësorit, në Vladivostok të enjten, se garancitë e sigurisë së SHBA ndoshta nuk do të ishin të mjaftueshme për të bindur Phenianin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Ai tha se besonte se çdo garanci e SHBA-së mund të duhej të mbështetet nga vendet e tjera të përfshira në bisedimet e mëparshme gjashtë-palëshe mbi çështjen bërthamore, që përfshinte Rusinë, Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Veriut.

“Unë mendoj se ne jemi duke bërë shumë mirë me Korenë e Veriut. Janë bërë shumë përparime”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “E vlerësova dje deklaratën e Presidentit Putin. Ai dëshiron ta shohë atë gjithashtu. Mendoj se ka shumë ngazëllim për marrjen e një marrëveshjeje me Korenë e Veriut”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart