Këto janë vrasjet më të rënda që u kryen sivjet


Morena Kokollari
22 Prill 2019 21:24


Vrasjet brenda familjeve në Kosovë kanë nisur të shpeshtohen. Vëllai vrau vëllain, burri vrau gruan, vrasje me motive të hakmarrjes në mes të familjeve dhe vrasjet në kazino. Tash, këtij zinxhiri i bashkohet edhe vrasja e sotme në Prishtinë, burri i shtëpisë vret gruan e tij, renë dhe në fund edhe veten.

Vrasjet në Kosovë me motive të hakmarrjes, borxhit, tokës e mosmarrëveshjeve në familje kanë nisur të shtohen.

Që nga fillimi i vitit 2019, deri më tani me këto lloj motive janë kryer gjashtë vrasje në Kosovë. Këtij zinxhiri iu shtua edhe vrasja e së hënës që ndodhi në lagjen Dardania në Prishtinë, kur burri vrau gruan e tij, gruan e djalit të tij dhe në fund edhe veten.

Express mëson se dorasi, H.K. tash e një kohë kishte probleme të rënda mendore, ndërkaq ai sot vrau me armë zjarri gruan e tij, renë e më pas vrau edhe veten. Krejt ngjarja tragjike ndodhi para vajzës dyvjeçare të djalit të tij. H.K. kishte tentuar që ta vriste gruan edhe një herë, një vit më parë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërkaq, rastin e kanë konfirmuar për Gazetën Express në Policinë e Kosovës.

Krimet e tilla në Kosovë nisën që nga muaji shkurt. Këtu kujtojmë kur u vra, Abid Jashari, 34-vjeçar, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

Vrasja e Abid Jasharit dyshohet se ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje, që babai i tre fëmijëve e kishte me familjen e gruas së tij.

Një ditë para se në trupin e tij të shkrepen plumba, Abidi kishte raportuar në polici për kërcënimet që kishte marrë nga familja e gruas – këtë detaj e ka treguar për Gazetën Express vëllai i tij, Behari.

Pas më shumë se 18 orësh në arrati, i dyshuari kryesor për vrasjen e Abid Jasharit, me të zbardhur mëngjesi i së enjtes, u vetëdorëzua në polici. Para se ai të vetëdorëzohej, policia kishte bastisur gjashtë lokacione.

Besnik Shkodra, 26 vjeç, aktualisht ndodhet në paraburgim.

Kjo vrasje ka ndodhur rreth orës 11:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë.

Vrasjet në Suharekë

Për pothuajse 1 javë u arrit të kryheshin tri vrasje, dy në kazino në Suharekë dhe Lipjan e njëra në fshatin Mushtisht, ku vëllai vrau vëllain për një copë tokë.

Lokalet e lojërave të fatit u bënë vend i vdekjes për dy të rinj nga Kosova. Jetmir Aliaj u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë.

Ndërkaq, disa ditë më pas, qyteti i Lipjanit u trondit nga vrasja e 36-vjeçarit Florent Ahmetaj, nga Rezalla e Skenderajt, i cili u gjet i vdekur në vendin e tij të punës, pikërisht në një lokal të lojërave të fatit.

Në vrasjen që ndodhi në kazinonë në rrugën e Reshtanit të Suharekës, ka mbetur i vrarë Jetmir Alijaj, punëtor në këtë lokal. Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar një polic me gradën e rreshterit.

Ndërsa në rastin në Studenqan, vrasja ka ndodhur mes vëllezërve, ndërsa bëhet e ditur se arsyet ishin për çështje pronësore, ku ka mbetur i vdekur 54-vjeçari I.B, ndërsa dorasi është arrestuar.

Vrasja në Marmull të Gjakovës

I dyshuari A.Gj., ka privuar nga jeta T.B., i moshës 40 vjeç dhe ka plagosur A.N., 56 vjeçar. Ky krim ka ndodhur në fshatin Marmull të Gjakovës në muajin mars të këtij viti. Dyshimet janë se motivi ishte pronësor.

Policia kishte arritur të arresonte atë ditë të dyshuarijn e kësaj vrasjeje, dhe nga prokuroria atij iu është caktuar edhe paraburgimi.

Familjarët thanë se 45-vjeçari u vra për një parcelë prej 15 ari tokë.

Vrasja në Ferizaj

Të vrarëve të vitit 2019, iu shtua edhe emri i 25-vjeçarit Mentor Aliu nga Ferizaj. Një hakmarrje e vjetër mes familjes së viktimës dhe të dyshuarit, mund të ketë qenë  shkaku i vdekjes së të riut.

Bazuar gjithnjë në këto dyshime, vite më parë një familjar i viktimës e ka vrarë një familjar të të dyshuarit.

Kjo vrasje sipas policisë, ndodhi rreth orës 12:30 në rrugën ”Ahmet Kaqiku” në Ferizaj.

Vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri.

Policia tha se burri J. J. (1956) pas ndërrimit të mote moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë dhe nga pakujdesia ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, tani të ndjerë Z.J. (1956).

Te fundit


Kthehu lart