Këta t’i kompleksojnë edhe “Stupcat”


Gazeta Express
23 Gusht 2019 14:17

Kadri Veseli ka zbuluar pas 12 vjetësh të partisë së tij në pushtet se duhet ta luftojë korrupsionin e familjarizmin, që janë ADN’ja e PDK’së. Parti të tjera kanë lidhur e mund të lidhin koalicione, pavarësisht se mbi to rëndojnë akuza për haraç e sulme me molotov. Tragjikomedi zgjedhore që t’i komplekson edhe “Stupcat” . S’kemi parë gjë akoma

Imer Mushkolaj

Nëse keni menduar se korrupsioni dhe familjarizmi ose, siç kanë qejf ta quajnë, nepotizmi në Kosovë nuk do të luftohen asnjëherë, atëherë keni gabuar. Është një kryetar partie që e ka marrë seriozisht këtë çështje dhe betejën do ta nis sapo të bëhet kryeministër.

Kadri Veseli, kryetar i PDK’së, po përsërit çdo ditë se e ka prioritet këtë çështje. Po, po. Kryetari i PDK’së, partisë që gati 12 vjet është në pushtet, tash ka zgjedhur të jetë i pamëshirshëm, i pakompromis ndaj këtyre dukurive negative. Partisë, e cila e ka kultivuar, rritur e shpërndarë korrupsionin e familjarizmin.

Duhet të jesh fort kërkah, që të mos qeshësh fort me këto pretendime. Ose duhet të jesh militant partie, i rehatuar “pa konkuru” në ndonjë institucion shtetëror, që t’i marrësh seriozisht këto deklarime.

Për pjesën dërmuese të qytetarëve, deklarimet e tilla janë fyerje, janë poshtërim. Jo pse ata janë kundër korrupsionit e familjarizmit, por sepse premtimet vijnë nga partia që është “nëna” e tyre. PDK është rritur kaq sa është pikërisht duke u mbështetur në këto dy “shtylla” të qeverisjes.

Afera e përgjimeve “Pronto” ka treguar se si funksionon kjo parti, si i cakton në poste njerëzit partiakë dhe çfarë e konsideron shtetin. Andaj tingëllojnë qesharake, absurde, hajgare premtimet se do ta lufojë korrupsionin. Qysh i paska ardhë pikërisht tash ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, e jo para dhjetë, pesë apo dy vjetësh? Çfarë ideje gjeniale, çfarë ideje origjinale!

E di, mbështetësit e PDK’së do të arsyetohen se të premten Kadri Veseli ndikoi që të anulohet zgjedhja drejtor i Muzeut të Kosovës i një anëtari të PDK’së. Por, po ashtu, dihet se është vetë PDK që e ka përkrahur atë tip të konkurrojë dhe të zgjedhet. Filmat gratis mund të jenë reklamë e mirë, por jo për të gjithë.

* * *

Nëse keni menduar se Çakorri e Kulla do t’i mbeten Malit të Zi e taksa ndaj Serbisë do të hiqet, po ashtu gaboni rëndë. Ramush Haradinaj po premton se ato do t’i kthehen Kosovës, ndërkaq taksa do të mbetet.

Haradinaj u bë kryeministër me kauzën e humbjes, siç pretendonte, të 8200 hektarëve tokë. Bashkë me opozitën e atëherëshme, Vetëvendosje e Nisma, nuk lanë veprim pa bërë, për të dëshmuar se kanë të drejtë. Ishte Hashim Thaçi ai i cili e nxori nga kriza, duke e nënshkruar një deklaratë me homologun e tij malazias, që e bëri marrëveshjen e demarkacionit të votueshme nga

një pjesë e kundërshtuesve. Tash, me të drejtë, qytetarët presin që Kosovës t’i kthehen 8200 hektarë. As më pak, as më shumë. Sepse kaq kanë thënë se janë humbur.

E nëse nuk besoni se është zbutur papunësia në Kosovë, prapë gaboni. Është një parti veçanërisht, e cila është përpjekur t’i rehatojë anëtarë e familjarë. Është Nisma e Fatmir Limajt, në përpjekje për të përmbushur premtimin “Një i punësuar nga çdo familje”, që don të thotë një i punësuar nga çdo familje që voton Nismën.

Për punësime nuk kanë mbetur keq as parti të tjera, si AAK, e cila më në fund e ka marrë “pjesën e vet” në institucionet publike. Për PDK’në dihet. Punësimet vazhdojnë. Siç thonë ata edhe “pa konkurru”.

* * *

Nëse keni menduar se partitë politike hyjnë në koalicon veç për interesa të ngushta gaboni sërish. Veç shihni koalicionet e deritashme dhe të tjerat që pritet të ndodhin. Plotësisht parimore, programore, ideologjike. Psh. çka ka të keqe koalicioni AAK-PSD? Parimor deri në fund. Punë e madhe që haraçi është ndërmjet. Çka ka të keqe koalicioni tjetër Nisma-AKR? Po ashtu parimor. Punë e madhe se akuzat për korrupsion janë ndërmjet. Çka ka të keqe një koalicion i ardhshëm LDK-VV? Parimor, s’ka fjalë. Punë e madhe që sulmet, molotovi e akuzat e ndërsjella iu rrinë mbi kokë.

Për ideologji partiake as që bëhet fjalë. Ajo krijohet dhe ndryshon varësisht nga interesat e ngushta partiake, klanore e individuale. Brenda natës të djathtët bëhen bashkë me të majtët, konservativët me socialdemokratët, e liberalët me ekstremistët. E rëndësishme është që të vijnë në pushtet. Më pas, më nuk ka nevojë as për program qeverisës. Tu pa, tu bo.

Tragjikomedia sapo ka filluar. Në Shqipëri do të thoshin “nuk keni parë gjë akoma”. Me të drejtë. Sepse këta dinë të befasojnë edhe atëherë kur mendon se befasitë në Kosovë më nuk kanë kuptim.

Andaj askush nuk duhet të befasohet pas zgjedhjeve, kur të thonë se gjithçka, edhe koalicionet që tash i refuzojnë, u desh t’i bënin “për të mirën e Kosovës”.

Te fundit


Kthehu lart