Këta dy persona po kërkohen nga Policia e Kosovës, dyshohen për vrasjen e Oliver Ivanoviqit


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 13:54

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, janë vënë në kërkim të dy personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Për këtë, këto dy institucione të drejtësisë po kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bën të ditur se me autorizim të Prokurorisë Speciale ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve, duke kërkuar kështu ndihmën e qytetarëve në gjetjen e tyre, ndërkaq nuk është treguar identiteti i të dyshuarve.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me  Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është duke hetuar rastin e vrasjes z. Oliver Ivanoviç. Me autorizim të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës publikon  fotografitë e dy personave të dyshuar për rastin ‘vrasje’ të datës 16/01/2018 në Mitrovicën Veriut”, thuhet në komunikatë.

Në fotografitë e të dyshuarve, të publikuar nga policia, thuhet se ata të dy janë parë në rrugën “Lola Ribar” në Mitrovicën veriore.

Policia thekson se kushdo që ka informacion për të dyshuarit, të lajmërojë në numrin e telefonit, duke theksuar kështu se ky numër është konfidencial.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për personat e dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës përmes numrit konfidencial të telefonit 080019999, adresën elektronike [email protected] ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor. Publikimi i këtyre fotografive bëhet me qëllim të identifikimit nga ana e qytetarëve, të cilët mund të na ndihmojnë rreth identitetit të këtyre personave të dyshuar”, thekson policia përmes komunikatës.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, ka udhëhequr SDP-në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018. /GazetaExpress

Fotografia e të dyshuarve:

Te fundit


Kthehu lart