Kështu e përmbylli Lëvizja Vetëvendosje fushatën në Prishtinë


Gazeta Express
4 Tetor 2019 21:32

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të kësaj fushate elektroale në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në tubim u panë shumë flamuj kombëtarë dhe i gjithë tubimi filloi me intonimin e himnit. Nuk munguan as flamujt shtetërorë dhe simbolet që i kishin sjell qytetarët. Po ashtu, u panë edhe flamuj të shteteve si ato të SHBA’së e Gjermanisë.

 Vend i veçantë afër skenës ishte i rezervuar për Avni Deharin, babain e aktivistit Astrit Dehari që vdiq në burg në fund të 2016’ës.

Tubimin e filloi kryetari i degës së VV’së në Prishtinë, Arben Vitia. Ai i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për guximin e tyre që të qëndrojnë në vend përkundër problemeve të shumta socioekonomike. Pas tij mori fjalën kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu.

U dëgjuan britmat “Hajnat në burg”. E Glauk Konjufca u tha ‘se shumë mirë po e dini ku e kanë vendin hajnat’.

“Kriminelët janë sëmundja e këtij vendi. E Vetëvendosja është ilaqi”, tha Konjufca.

Ovacionet më të mëdha ishin të rezervuara për liderin. Albin Kurti sapo u fut në skenë u përcoll me brohorima të mëdha.

“Teksa presim me padurim ditën e zgjedhjeve unë dëshiroj që të u kushtoj një falënderim aktivistëve të Lëvizjes. Qindra qytetarë dhe aktivistë edhe nëpër shtetet perëndimore janë gurët dhe shtyllat e Lëvizjes. Ata duan ta shohin Kosovën të zhvilluar dhe të bukur”, ka thënë Kurti.

Zgjedhjet mbahen me datën 6 tetor, dhe lirisht mund të thuhet se Vetëvendosje po futet fuqishëm dhe me plot besim në zgjedhjet e parakohshme që po cilësohen si vendimtare për shtetin tonë. /Express/

Te fundit


Kthehu lart