Ker-Lindsay: Duhet të arrihet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, palët të jenë mendjehapura


Gazeta Express
11 Shtator 2019 16:21

Për profesorin e “London School of Economics and Political Science”, James Ker-Lindsay, vendimi i Sekretarit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar Matthew Palmer-in, në postin e Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor, është një vendim i shkëlqyer. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Ker-Lindsay thotë se me padurim pret të shoh punën që do të bëjë Palmer në detyrën e re, pasi, siç thotë ai, në opinion ishte krijuar një përshtypje se SHBA-ja ka larguar vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor

Besnik VELIU

Në këtë intervistë, profesori Ker-Lindsay, i cili merret edhe me kërkime që mbulojnë fushën e sigurisë dhe paqes në Evropën Juglindore ( Ballkanin Perëndimor, Greqinë, Turqinë dhe Qipron), ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve, rolin e Gjermanisë dhe BE’së në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje finale për Kosovën dhe Serbinë,  modelin e “Dy Gjermanive ”, të propozuar nga deputeti i CDU/CSU, Peter Beyer, si dhe në fund ka paraqitur mozaikun e tij se si do të duhej të dukej një marrëveshje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Gazeta Express: Si e shihni emërimin e Matthew Palmer-it dhe a vëreni sinjale se SHBA-ja dëshiron të zgjidhë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë deri në verën e vitit 2020?

James Ker-Lindsay: Mendoj se ky është një vendim i shkëlqyeshëm. Për fillim, me të dëshmohet se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të mbesin të angazhuara në këtë rajon. Kjo është e rëndësishme. Ka ekzistuar përshtypja se Shtetet e Bashkuara janë duke u tërhequr. Gjithashtu, zgjedhja specifike e të dërguarit është jetike. Matthew Palmer e njeh rajonin tepër mirë. Ai e ka edhe temperamentin e duhur për këtë rol. Ai është i drejtpërdrejtë dhe nuk përpiqet t’iu shmanget çështjeve. Mezi pres të shoh se si do të merret me këtë çështje në muajt në vijim.

Gazeta Express: A ka ende ndonjë mundësi për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje finale?

James Ker-Lindsay: Ka pasur shumë spekulime për këtë gjatë vitit të kaluar. Nuk mendoj se është gjë e dobishme të përqendrohemi tepër në këtë çështje. Ajo që e dimë është se ka nevojë për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta zgjidhë problemin një herë e përgjithmonë dhe për të gjithë dhe që do t’ia mundësojë Kosovës hyrjen në Kombet e Bashkuara. Duhet t’iu lihet dy palëve që të vendosin se çfarë marrëveshje do të arrijnë. Si shumë të tjerë, unë besoj se është e rëndësishme që palët të jenë mendjehapura. Nëse Beogradi dhe Prishtina dëshirojnë të arrijnë marrëveshje territoriale, atëherë ne nuk duhet ta përjashtojmë një gjë të tillë. Kushti është që çfarëdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Përfundimisht, iu takon atyre të vendosin. Ne duhet të përshëndesim çfarëdo përpjekje që bëjnë për të arritur një marrëveshje.

Gazeta Express: Çfarë mund të thoni për rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian? A i shihni lëvizjent e Gjermanisë për çështjen e dialogut, si revansh ndaj lëvizjeve të SHBA’së?

James Ker-Lindsay: Gjermania dhe Bashkimi Evropian kanë rol jetik. Në rastin e BE-së, ka pasur mundësi për shumë pak arritje pasi që BE-ja tash për tash është në një periudhë ndryshimi. Pas zgjedhjes së parlamentit të ri në maj, kemi pritur që të caktohet komisioni i ri. Kjo gjë tashmë po bëhet pjesë e fokusit. (Duhet të shohim nëse i nominuari hungarez për pozitën e komisionerit për zgjerim e merr miratimin nga parlamenti. Sinqerisht, shpresoj të mos e marrë. Ai është i papërshtatshëm për këtë rol.) Posa të formohet ky komision, pres që BE-ja të marrë përsëri një rol më aktiv. Sidoqoftë, në këtë fazë, është e paqartë se kush do ta drejtojë këtë proces nga Bashkimi Evropian. A do të jetë Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i ri apo a do të jetë komisioneri i ri për zgjerim, kushdo qoftë. Duhet të presim dhe të shohim.

Gjermania është një çështje pak më ndryshe. Është e qartë se Berlini dhe Britania e Madhe e kanë marrë një pozicion më ndryshe për dialogun në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe lidershipin e kaluar të BE-së, nën udhëheqjen e përfaqësueses së lartë, Federica Mogherini. Do të jetë interesante të shohim se si do të zhvillohet pozicioni i Gjermanisë në fazën e ardhshme. A do të bindet Gjermania që të jetë paksa më mendjehapur në qasjen e saj apo do të qëndrojë e palëkundur në pozicionin e vet? Personalisht kam qenë shumë i zhgënjyer me mënyrën me të cilën Gjermania është përpjekur t’i mbyllë diskutimet vitin e kaluar përmes marrjes së një pozicioni shumë fleksibil për atë se çfarë mund të diskutohet. Kjo është kundër-produktive për të gjitha palët e përfshira. Shpresoj se kjo gjë do të ndryshojë.

Gazeta Express: Sa i përket modelit të “Dy Gjermanive”, a mendoni se është një ideale dhe ide e implementueshme?

James Ker-Lindsay:  Kjo ide ka qarkulluar që nga bisedimet për statusin në vitin 2007. Mendoj se është ide e vjetruar. Ajo ka mundur të funksionojë para një dekade. Tash, njoh shumë pak njerëz që mendojnë se kjo ide ofron zgjidhje për të ecur përpara. Mendoj se është shumë më mirë që të bëhen përpjekje për ta gjetur një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, e cila do ta zgjidhë problemin një herë e përgjithmonë dhe për të gjithë. Mendoj se kjo është e mundshme dhe duhet të jetë në fokus të përpjekjeve ndërkombëtare. “Zgjidhjet” e përkohshme si kjo nuk janë vërtet të dobishme. Ato vetëm e zgjasin problemin.

Gazeta Express: Nga pikëpamja juaj, si mund të duket një zgjidhje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

 James Ker-Lindsay: Elementet dhe gjera të çfarëdo marrëveshjeje janë tashmë të njohura. Çfarëdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë e bazuar në pranimin nga të dyja palët dhe njohjen e plotë. Një marrëveshje e tillë do ta dërgonte Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe Serbinë e Kosovën më afër integrimit evropian. Ajo duhet të jetë gjithashtu në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe duhet të miratohet në mënyrë demokratike. Sa i përket specifikave, duhet të sigurohemi që trashëgimia religjioze serbe në Kosovë të jetë e mbrojtur. Pastaj është çështja e komuniteteve pakicë. Sërish, mendoj se duhet të jemi mendjehapur për atë se si do ta trajtojmë këtë çështje. Ka mundësi që ndonjë formë e autonomisë të jetë përgjigje për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sidoqoftë, mund të ndodhë gjithashtu që Beogradi dhe Prishtina të shohin ndonjë përparësi në ndonjë marrëveshje territoriale. Siç thashë, duhet të qëndrojmë mendjehapur dhe t’i lejojmë që ta gjejnë një marrëveshje që iu përshtatet më së miri. Përfundimisht, gjëja më e rëndësishme është që të gjendet një zgjidhje funksionale dhe e qëndrueshme për këtë çështje./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart