Katër vinjete në mbrojtje të poezisë - Gazeta Express
string(36) "kater-vinjete-ne-mbrojtje-te-poezise"

Katër vinjete në mbrojtje të poezisë

Arte

Gazeta Express

30/11/2020 14:41

Letersia dhe sidomos Poezia kërkon së pari një respekt të madh, si çdo krijimtari shpirtërore dhe intelektuale, para se të gjykohet

Rudolf Marku

Lexo Edhe:

1.
Para disa ditësh, një kanal televiziv shtetëror organizoi një gjyq për Poezinë e para viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Pak a shumë u tha se ai që u shpall Poet Laureat nuk duhet të shpallej i tillë, për shkak se ka shkruar një poezi për Partinë. U tha se Poezia e para viteve ’90 duhet gjykuar rreptësisht me parametrat revolucionare-demokratike të antikomunizmit të sotëm. U vunë në dyshim dhe akademiku dhe studjuesi i njohur, Profesor dhe Studjues Letërsie i një Universiteti prestigjioz amerikan, i mirënjohuri Gëzim Basha, me ca pretenca shkencore zhdanoviste të Kasolles së Galigatit. U shanë pa censurë poetë dhe personalitete të letërsisë bashkëkohore. U tha se ata që kanë lindur para viteve ’90 duhej të mos kishin lindur hiç, për hir të letërsisë së revolucionit të sotëm demokratik… Mjerisht, siç shihet, njëra nga ato netët e Valpurgjisë për të cilat flet Gëte te Fausti i vet.

Vetë moderatorja, Elsa Demo për fat të keq, qe në krye të Valles së Shtrigave ( Nata e Valpurgjisë është Valle Shtrigash)…Ca shpirtëra të shqetësuar nga ca ligësi të pakontrolluara, qenë ftuar në këtë Gosti të dyshimtë. Një infermier fizioterapist, Lizard Kola -që prezantohej si profesor, imitonte Vishinskin.
Ironia qe se ky program transmetohej në një kanal televiz shtetëror (RTSH2)- paguar nga taksapaguesit shqiptarë.

Një tjetër e Klubit të Beqareshave të pasuksesshme – ardhur nga vetë Atdheu i Gëtes, dhe që banon realisht pranë Pyllit të Valpurgjisë,- donte të provonte se sa gabim është vetë praktika e njohur në botë, e zgjedhjes së Poetit Laurat. Vetë programi qe ndërtuar në mënyrën më komode për ata që shanin- në emision nuk qe ftuar as edhe një njeri i vetëm nga ata që shaheshin dhe përbalteshin, duke shkelur kështu dhe etikën më elementare të debatit. Qe si karikaturë e një ndeshje boksi, ku një djalosh vrarëlije dhe kockëdalë, i tund në ring ca grushte të vegjël fëmijësh të kequshqyer, një kundërshtari që nuk është aty në ring, me shpresën se do të shpallet kampion!

Nuk do të merrja mundimin për të shkruar mbi këtë incident të turpshëm, nëse nuk ka dhe nuk ka patur edhe artikulime të njerëzve të tjerë, të urrejtjes kundër gjithë asaj që është shkruar tek ne para viteve ’90. Për fat të keq, tek-tuk dhe nga vetë ndonjë shkrimtar.

Mendoj se Letersia dhe sidomos Poezia kërkon së pari një respekt të madh, si çdo krijimtari shpirtërore dhe intelektuale, para se të gjykohet. Më vjen ndërmend eruditi francez Pol Valery i cili kishte zakon të thoshte se: ”Përpara se të filloj të flas për Letërsinë, në fillim kërkoj të falur”.

I mendoni këta gjyqtarë të rreptë po të kishin jetuar në vitet para ’90-s?!Energjia negative e urrejtjes që kanë dhe në kushtet e lirisë, zgjedhja vullnetare, në kushtet e lirisë së sotme, e profesionit të Prokurorit vrasës të Poezisë, nuk i lë asnjë dyshim logjikës së esëllt, se në krahun e kujt do të kishin qenë rreshtuar. Fakti që edhe sot duan ta gjykojnë Poezinë dhe Letërsinë me kritere ideologjike, pa asnjë referencë estetike dhe formale; fakti se krijimtaria letrare për to është thjesht tema; fakti se nuk janë në gjendje të bëjnë as edhe një analizë të tekstit, – tregon se sa të suksesshëm do të kishin qenë vetë ata, njëherë e një kohë, në karrierën e skuadroneve të urrejtjes së mendimit të lirë.

2.
Duke shfletuar këto ditë në Bibliotekën Kombëtare shtypin letrar të viteve 1971 dhe 1972, (‘’Zëri i Rinisë”), lexoj me respekt fillimet e krijimtarisë së një brezi shkrimtarësh: Poezitë e Frederik Reshpjes, Xhevahir Spahiut, Ndoc Gjetjes , Bardhyl Londos, Natasha Lakos, Faslli Halitit, Sadik Bejkos, Sulejman Matos, Roland Gjozës, Betim Muços, Beatriçe Balliut, Hiqmet Meçes, Iliriana Sulkuqit, Viktor Qurkut (nga Viktori i ndjerë lexoj një poezi të bukur dashurie “Kujtimi i një mbrëmje”), poezitë e Visat Zhitit, Bujar Xhaferit, poezitë e Skënder Buçpapës dhe të Hamit Alisë e të Agim Spahiut -si dhe tregimet e para të Faik Ballancës, Zija Çelës (ja tregimi shumë i njohur i Zijait “Galabuni”), tregimet lirike gjithë poezi dhe mirësi të Nasi Lerës, si dhe tregimet aq premtuese të Emine Sadikut,madje dhe një tregim shumë i bukur i mikut tim të viteve studentore, Bardhyl Matraxhiut!

Një brez poetësh të tjerë të talentuar- Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Ilirian Zhupa, Mimoza Ahmeti, – do të vijnë gati një dekadë më pas.

Dhe nuk kam se si të harroj kontributin e madh të botuesve të paharruar që ndihmuan në botimet e një krijimtarie memorabile në faqet e kësaj gazete, të ndjerët Dhimitër Verli dhe Vath Koreshi.

Është koha kur Ismail Kadare boton “Kronikë në Gur” – një vepër monumentale e Letërsisë Shqipe, që shënon një pikë kthese drejt modernizimit të gjithë letërsisë tonë.

Dhe mendoj- Mjerë mjeranët që duan ta shkurtojnë Kohën. Që bërtasin se kalendarët fillojnë ditën kur lindën ata vetë! Duke mohuar në mënyrë paradoksale dhe vetë lindjen e prindërve të vet! Dhe duke pranuar padashje se janë fëmijë befotrofesh-pa prindër!

3.
Pleniumi i Katërt i KQ- Pranverë 1974.

Ka shumë të rinj që nuk e kanë idenë së çfarë do të thotë fjala Plenium. Po e shpjegoj me një humor të asaj kohe që ne e thonim mes miqsh: Një francez, amerikan dhe shqiptar ecin mes xhunglës. Befas rrethohen nga një fis kanibalësh. Që të mbesni gjallë- u thotë Kryetari i Fisit- duhet që të na bëni një pyetje, kuptimin e së cilës ne nuk do ta dimë. Në rast të kundërt, do ju hamë.

-Fillojmë nga ti- i thonë Francezit. Francezi thotë: Çfarë është Enciklopedia? Kanibalët mblidhen rrotull, u bien daulleve, kërcejnë, derisa Kryetari thotë- Është një libër që shpjegon gjithçka.Francezin e pjekin dhe e hanë.

– E ke radhën ti- i thonë Amerikanit. Ai: Çfarë është një raketë kozmike? Kanibalët përsëri mblidhen rrotull, u bien daulleve, kërcejnë derisa Kryetari i tyre thotë- Është një makinë fluturuese që ekslporon planetet e panjohur! E pjekin dhe e hanë dhe amerikanin.

– Është radhajote- i thonë shqiptarit. Ai: Ç’është një Plenium? Kanibalët mblidhen rrotull, u bien daulleve, kërcejnë , prapë daulleve, kërcejnë, kërcejnë derisa Kryetari thotë- Ti shpëtove. Nuk e dimë.Na e thuaj ti.

Shqiptari befas ia kris gazit, qesh e qesh e qesh dhe thotë- Ju sapo bëtë dy Pleniume dhe nuk e dini? Plenium është kur mblidhen ca njerëz, u bien daulleve, kërcejnë dhe hanë rosto një njeri!

Pleniumi i Katërt u kushtohej “Ndikimeve të huaja borgjeze dhe revizioniste në Letërsi dhe Arte”.Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politike marrin pjesë.

Pikërisht në këtë Plenium – njëri ndër momentet më të errët të Historisë së Shqipërisë, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë lexon një poezi timen, atë me titulll ‘‘Lidhjet e mia me Natyrën’’- si ilustrim i një krijimatarie ku ‘’ jeta zhvendoset dhe humbasin përshtypjet realiste nga jeta”. Pasi ka lexuar të gjithë poezinë (gjë shumë e rrallë për një Plenium), Kryetari i Lidhjes vazhdon komentin me një banalitet të paparë fyes (‘’…Poeti është gjithçka në natyrë ndërsa të tjerëve u jep një racion të caktuar në natyrë…’’).

Ky koment, së bashku me poezinë e kritikuar, janë botuar në një libër mbi Shqipërinë në Munich të Gjermanisë Perëndimore, në vitin 1978, në dy faqe.

Pak vite më vonë do të pasojnë vetëvrasjet e shkkrimtarëve të talentuar Faik Ballanca, Shpëtim Gina, Viktor Qurku; burgosja e poetëve Frederik Reshpja dhe Visar Zhiti; vrasja barbare e Vilsonit dhe Gencit; varja makabre e Havzi Nelës- të gjitha këto, krime të inkurajuar nga ky Plenium famkeq.

Si ju duket kjo dhe kritika si këto kundër shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë, puritanistëve të sotëm primitivë; atyre puritanistëve moralizues që bëjnë pjesë në atë grupin kanibal të rrahjeve të daulleve dhe të kërcimeve të egra?

4.
Po ngjitesha shkallëve të Bibliotekës Kombëtare , kur u kryqëzova me Nasho Jorgaqin, profesorin tim të dikurshëm të Letërsisë Shqipe. Më ndal: “E di se ‘’Dielli” i Vatrës ka botuar diçka rreth teje?”, më thotë me një ton disi enigmatik.
“Dielli” i Bostonit ishte njëra ndër gazetat që ruhej në Fondin e literaturës së ndaluar.Nuk lejohej ta merrje pa patur autorizim. Por Vasilika dhe Entela Domi- kjo e fundit vajza e profesorit tim të Gramatikës, të famshmit Mahir Domi,- ishin shpëtimtarët tanë, që ishim të pa-autorizuarit e përjetshëm. Dy vajza të mrekullueshme që rrezikonin vehten e tyre për të na i dhënë për disa orë, fshehurazi dhe pa leje, librat a gazetat që donim ne!

Ja teksti i gazetës “Dielli”, Janar 25,1989:

DY POEZI NGA RUDOLF MARKU-
Koment nga Hyll Ogreni

Edhe në bahçen pa lule të realizmit socialist, në poezi rrallë e tuk ndodh ndonjë mrekulli e vogël.
N’atë grumbull ferrash,gjëmbash,hithrash dhe trëndafilash plastiku (prodhime këto të Uzinës Letrare Enver Gorki), mbijnë tek-tuk lule të merme poezie.

Në mos u gabofsha, të tilla janë disa poezi nga Rudolf Marku, të botuara në revistën Nëntori, 9, 1988.Dy sish po i botojmë këtu.
Tre veçori, të paktën, i bëjnë këto vjersha të shquhen prej vjershave të realizmit socialist shqiptar:
– tisi i murmë surrealist, me të cilën poeti e vesh atmosferën e brendisë,- si në vjershën e parë “Kali i Kaligulës”, ashtu dhe në “Kujtim për Nënën”- që vetvetiu i veçon ato prej realitetit të realizmit socialist;
– mungesa e bombastiçismash dhe moralizimesh të materializmit dialektik;
– theksimi i ndjenjave personale, individuale dhe shmangia e nështrimit ndaj këtyre ndjenjave, ndjenjave “objective” apo “realitetit objektiv” a “frymës objective” ( e të tjera dëngla komuniste).
Me fjalë të tjera, në poezinë e Markut ke për të gjetur shenja njerzillëku në ndjenjë dhe sinqeriteti në shprehje.
Gjë e madhe kjo-në një sistem politik- shoqëror, ku Mbret është Terrori dhe Mbretereshë Hipokrizia…

Të them të drejtën, u frikësova! Edhe kur dola nga dyert e Bibiotekës, pashë rreth e rrotull.Fjalia e fundit më ka ndjekur për një kohë shumë të gjatë.
Më vonë kam mësuar se Yll Orgeni ishte një intelektual i mirënjohur në rrethet shqiptare të Amerikës, për kulturën dhe njohjen e madhe të letërsisë, dhe se kishte studjuar në Oxford dhe Harvard- ndryshe nga kritizerët puritanistë të ditëve tona,- Lizard Kol Askushi and Co- të, diplomuar në Universitetin e Urës së Thive dhe të Kosmaçës- siç na thotë Fan Noli profetik para shumë e shumë vitesh!

Shënim:

Më lejoni të riprodhoj ca botime të miat të hershme: Cikle poetike të viteve 1971-1972, të botuar në moshën 19 dhe 20 vjeçare; një kritikë e një poezisë time në Pleniumin e Katërt të Komitetit Qendror, në prani të Enver Hoxhës dhe gjithë udhëheqjes komuniste të Kohës ( kritikë që përsëritet pikë për pikë sot në këtë program televiziv Shtetëror të përmendur, nga zhdanovistët modernë), dhe një shkrim në gazetën Dielli të shoqërisë Vatra të Bostonit rreth një cikli poetik timin botuar në shtypin shqiptar në vitin 1988.