Katër të vdekur nga shpërthimi i veturës bombë në Afganistan


Gazeta Express
31 Maj 2019 10:23

Një shpërthim vdekjeprurës e ka goditur kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin. Së paku katër persona besohet se kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të së premtes në zonën Yakatot, e cila shtrihet në lindje të Kabulit.

Bomba shpërtheu në momentin kur një kolonë e makinave të ushtrisë amerikane po kalonte nëpër këtë zonë. Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se katër anëtarë të personelit të këtij shteti janë lënduar lehtë në këtë shpërthim.

Përndryshe, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Nasrat Rahimi, tha për agjencitë e lajmeve se katër kalimtarë të rastit kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar. Sidoqoftë, zyrtarët thanë se numri i saktë i personave të vdekur dhe personave të lënduar ende nuk dihet.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabidullah Mujahid, e mori përgjegjësinë për këtë shpërthim, duke thënë se në të janë vrarë dhjetë ushtarë amerikanë. Sidoqoftë, ai nuk ofroi dëshmi për këtë deklaratë.

Të enjten, gjashtë persona u vranë kur një sulmues vetëvrasës e shpërtheu bombën afër akademisë ushtarake të Afganistanit, e cila ndodhet pak kilometra larg vendit ku ndodhi shpërthimi i së premtes, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart