Katër të kthyerit nga Siria që u arrestuan janë persona me “rrezikshmëri të lartë”


Gazeta Express
20 Prill 2019 11:12

Katër burrat që u kthyen mbrëmë nga zona e konflitit të Sirisë në Kosovë, vlerësohen si persona me rrezikshmëri të lartë, mëson Gazeta Express nga burime të besueshme brenda organeve të hetuesisë.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër persona që luftuan në Siri, u tha në konferencën e thirrur për media me rastin e kthimit të 110 personave nga zonat e konfilitit në Kosovë, raporton Gazeta Express.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se sot në orën 12:30 do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media.

Po ashtu mësohet se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Të kthyerit nga Siria, orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në në fshatin Vranidoll i cili gjendet në periferi të Prishtinës.

Forca të shumta policore duke përfshirë njësitet speciale janë duke mbajtur të rrethuar këtë qendër ku po qëndrojnë gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria.

Javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës ka thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.

Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë kthimin e kosovarëve nga Siria.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars.

/Gazeta Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart