Katër të akuzuar mohojnë se ishin pjesë e organizatës “Syri i Popullit” - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

11/10/2019 10:42

Katër të akuzuar mohojnë se ishin pjesë e organizatës “Syri i Popullit”

Lajme

Gazeta Express

11/10/2019 10:42

Katër nga dhjetë të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Bexhet Luzha dhe Halim Halimi, kanë mohuar se ishin pjesë e organizatës “Syri i Popullit”.

Këta katër të akuzuar, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Syri i Popullit” kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

Në këtë rast për vepra kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Ramabaja, Berisha, Luzha e Halimi, kanë thënë se për këtë organizatë kishin dëgjuar nga mediat, pas sulmit që kishte ndodhur ndaj avokatit Azem Vllasi.

I akuzuari Sadri Ramabaja, në seancën e së enjtes, ka vazhduar dhënien e mbrojtjes së tij, të cilën e kishte filluar që nga 11 korriku i këtij viti.

Ai ka thënë se e konsideron procesin gjyqësor ndaj tij plotësisht politik, si dhe një hakmarrje ndaj tij.

“Procesi gjyqësor ndaj meje mendoj se është skenar për shpalljen të jashtëligjshme të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), unë jam viktimë e këtyre skenaristëve, nuk është çështje vetëm ndaj meje, hakmarrja është e karakterit të pastër politik dhe unë nuk kam asgjë ndaj personave të tillë si Hashimi e Azemi që duket se janë puq për të më përfshirë mua në këtë”, ka thënë Ramabaja.

Sipas Ramabajës, ai kishte shpresuar se tani i dëmtuari Azem Vllasi, do të kuptonte se të dytë janë viktima në këtë rast.

Ramabaja tha se ka informacione se i akuzuari Murat Jashari, para se të kryente sulmin ndaj Vllasit si kishte hyrë në Kosovë, kishte pasur urdhër nga prokurori për ndalim të tij, por një gjë e tillë nuk ishte bërë.

“Çka do të thotë se urdhri i prokurorit për ndalim të Jasharit nuk ishte zbatuar e që Azem Vllasi ishte përzgjedhur kokë turku në këtë skenar makabër, e që kam pritur që Vllasit pas kësaj do të më kërkonte ndjesë për sjelljet e tij ndaj meje”, tha Ramabaja.

Duke u përgjigjur në pyetje të anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Vesel Ismajli, Ramabaja ka deklaruar se arsyeja pse ai mendon që është në këtë proces, është edhe biografia e tij politike dhe përgatitja e tij superiore akademike.

“Gjatë seancave edhe të pranishmit e kanë vu re se i kam kushtu rëndësi të veçantë mbrojtjes së dinjitetit të gjyqit dhe Republikës, sepse mendoj se përmes këtij procesi të montuar politik i është bërë një dëm i madh shtetit, e unë e kam potencuar edhe në hetuesi, edhe në proces se arsyeja reale pse kam pranuar të redaktoj librin e Murat Jasharit, të titulluar “Luftë e pambaruar” janë disa të dhëna me karakter historik”, tha Ramabaja.

Ai u pyet nga gjykatësi Ismajli, përse nuk kishte reaguar kur në aeroportin “Adem Jashari”, një person i ishte ofruar dhe i kishte thënë disa fjalë, por kishte qëndruar indiferent.

Ramabaja u përgjigj, se personi që i ishte ofruar i kishte thënë duhet të largohesh përkohësisht nga Kosova, sepse jeta jote është në rrezik dhe mund të kishte fatin si të Astrit Deharit, mirëpo ai tha se vetëm ai e din si e kishte përjetuar këtë gjë, e më pas as nuk e kishte parë se ku kishte shkuar ai person që sipas Ramabajës, ende është në dyshim se a e kishte paralajmëruar apo shantazhuar atë.

“Personi që më ka thënë këto fjalë është thirrur si shok i dy studentëve të mi që punonin në Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”, tha Ramabaja.

Sipas Rambajës, i dëmtuari Azem Vllasi, në vitin 2017, kishte publikuar tekste plotë shpifje për të në dy gazeta dhe atë në “Bota Sot” dhe në gazetën “Infopres”, e për të cilat Ramabaja, tha se ka paraqitur padi për shpifje në gjykatën përkatëse.

Ramabaja përsëri potencoi se ka mendim që i akuzuari Murat Jashari është i sëmurë mental dhe provat e Jasharit dhe shkrimet e tij nuk duhet të merren për bazë në një gjykim sepse një person i sëmurë nuk mund të gjykohet.

I pyetur nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, se i njëjti a është në dijeni për platformën e organizatës “Syri i Popullit”.

Ramabaja ka thënë se gjykata nuk duhet as ta përmend një gjë të tillë, sepse një njeri i sëmurë psikik, e ka cilësuar si platformë dhe se komunikatën për media në të cilën për sulmin e Azem Vllasit thuhej se përgjegjësinë e merr organizata “Syri i Popullit”, ai mendon se ishte lëshuar nga vetë zyra e presidentit.

Ai ka thënë se e konsideron si turp, veprimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSKR), Sylë Hoxha që librin “Lufta e pambaruar” e shkuar nga Murat Jashari dhe parathënia e këtij libri janë bërë pjesë e akuzës.

Ai tha se kishte pranuar ftesën që të intervistohet në PSRK, si i dyshuar për këtë rast, e që tri ditë para se të paraqitej në prokurori kishte marrë informatën në aeroport që të lëshonte vendin.

Ramabaja tha se më pas kishte shkuar në Durrës, ndërsa kur kishte hipur në traget ishte ndalur nga policia e më pas ishte kthyer.

“Kapja e shteti nga klani “Pronto” dhe fati tragjik i Astrit Deharit e përmendja e emrit të tij kanë qenë përfundimtare në ikjen time. Unë nuk kam dashur të bi viktimë e shtetit tonë”, tha Ramabaja.

Në fund Ramabaja tha se me mbajtjen e tij në paraburgim për dy vite, është shkelur njëri nga nenet parësore të Kushtetutës që është garantimi i të drejtës së shprehjes së mendimit të lirë në publik.

Pas Ramabajës u dëgjuan edhe Sabit Berisha, Bexhet Luzha dhe Halim Halimi.

Sabit Berisha tha se të akuzuarin  Murat Jashari e njeh dhe më të ishte takuar tri ditë para se të ndodhte sulmi ndaj Azem Vllasit, mirëpo që nuk kishin biseduar asgjë rreth tij.

Berisha tha se ishte takuar rastësisht me Jasharin në stacion të autobusëve dhe me të kishin pirë kafe dhe në fund Jashari i kishte thënë se po shkon të takojë një shok.

Sipas Berishës, ai me Jasharin paraprakisht kishin shkuar në librarinë “Buzuku” e aty Jashari ishte prezantuar si autor i librit “Luftë e pambaruar”, ku kishte biseduar rreth librit me një drejtoreshë.

“Murati me mu ka folur vetëm për fëmijërinë e tij dhe gruan e tij, e që nëse nuk gaboj më ka thënë për një adresë të banjës në Elbasan për gruan e tij e unë i kom thanë se me kompjuter nuk punojë edhe kaq ka mbet”, tha Berisha.

Berisha mohoi të ketë dëgjuar për organizatën “Syri i Popullit” më parë, por për këtë organizatë ai tha se kishte dëgjuar kur kishte ndodhur plagosja e Azem Vllasit.

Ai po ashtu tha se nuk është anëtar i asnjë organizate, e aq më pak i organizatës “Syri i Popullit”.

Berisha shtoi se edhe në tubimin e mbajtur në odën e të akuzuarit Ragip Sallova, nuk kishte marrë pjesë.

Sipas të akuzuarit, ai nuk ishte takuar asnjëherë me të akuzuarin Llumnica, por që për të kishte dëgjuar nga i akuzuari Jashari, i cili sipas Berishës e kishte telefonuar Llumnicën dhe i kishte thënë “kur po nisemi për Zvicër dhe a mundesh me ma bo një vend me udhëtu me ty”.

Berisha shtoi se me aq sa ai kishte parë, Jashari nuk kishte poseduar numrin e Llumnicës, por këtë e kishte marre përmes motrës së Llumnicës, përmes telefonit.

Ndërsa, i akuzuari Bexhet Luzha, tha se ndihet i pafajshëm dhe se nuk ka të bëj me organizatën “Syri i Popullit”.

Sipas tij, ai nuk kishte dëgjuar për këtë organizatë deri në ditën kur kishte ndodhur sulmi ndaj Azem Vllasit.

Luzha tha se të akuzuari Jashari e njeh që moti sepse ai është edhe dajë i gruas së tij, që po ashtu është e akuzuar në këtë rast.

Luzha tha se Murat Jashari, në vitin 2017, kishte qëndruar tek ai për 20 ditë, e që në fillim të vitit, atë kishte ardhur për ta marrë dikush në një ndejë që ishte organizuar tek i akuzuari Ragip Sallova.

Sipas Luzhës, Sallovën nuk e kishte njohur, por për hatër të Jasharit kishte shkuar me të në këtë mbledhje ku, sipas të akuzuarit, Jashari kishte për të shpërndarë librin e tij në atë tubim.

Luzha shtoi se kur kishin hyrë në odën e Sallovës aty kishte filluar ahengu dhe ishin dëgjuar çiftelia ku kishte pasur përafërsisht 40 vetë.

“Unë nuk e di se si ka shkuar ngjarja, por e di që kishin themeluar një lëvizje e Ragipi i dha fjalën më pas Muratit që mi than nja dy tri fjalë, e Murati ja nisi me thanë se duhet mi vra se lypin me i vra tradhtarët e kombit”, tha Luzha.

Sipas Luzhës, Jashari manipulohej nga dikush tjetër sepse vetë nuk ishte në rregull, sepse disa herë i kishte thënë atij që po komunikonte me Skënderbeun, Adem Jasharin e Enver Hoxhën.

“E kom ditë se ka pasur probleme shëndetësore se ka pi hapa ka tri herë në ditë”, shtoi Luzha.

Në takimin e mbajtur në odën e Ragip Sallovës, Luzha tha se ishin përmendur e kritikuar personalitet por që ai nuk ua kishte vënë veshin fortë.

Në fund, Luzha tha se nuk e ndien vetën fajtor për çka akuzohet dhe se nuk është pjesëtar i kësaj organizate dhe se është habitur edhe kur ka dëgjuar për platformën e saj.

Luzha më pas tha se është i bindur që pas veprimeve të Jasharit qëndron dikush, sepse në ditën kur ai ishte arrestuar në Prishtinë për sulmin ndaj Vllasit, gruaja e Jasharit që gjendet në Zvicër kishte thënë se një person me emrin Mejtush Zenuni kishte shkuar në shtëpinë e Jasharit dhe i kishte fshirë dokumentet e tij nga kompjuteri.

Në fund edhe i akuzuari Halim Halimi dha mbrojtjen e tij ngjashëm me të akuzuarit e tjerë.

Halimi tha se për organizatën “Syri i Popullit” po ashtu kishte dëgjuar vetëm përmes mediave, duke shtuar se Murat Jasharin nuk e njeh, e që e kishte takuar vetëm më tre janar 2017 në odën e Ragip Sallovës.

Halimi tha se i kujtohet që Jashari kishte mbajtur një fjalim, por fjalët e tij nuk i ka dëgjuar sepse ka qenë më larg se aty, pasi që në atë odën ishin afërisht 50 persona.

“Në tubimin në odën e Ragip Sallovës jemi tubuar për me themelu kryesinë e lëvizjes për ribashkim kombëtar. U patëm nda në dy grupacione dhe kishim mungesë të kryesisë, unë njoh vetëm Ragipin, Bajrush Konjushën”, tha Halimi.

Halimi tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë në prokurori, ndërsa shtoi se sikurse ta kishte dëgjuar Murat Jasharin çka kishte thënë në tubim ai vetë do të reagonte.

Seancat e radhës ku pritet te jepet mbrojtja e të akuzuarve të tjerë do të mbahen më 30 dhe 31 tetor 2019 në orën 09:30.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje. /Betimipërdrejtësi