Katër skuadra në kërkim të finales së Kupës së Kosovës


Gazeta Express
17 Prill 2019 11:21

Këtë mesjavë zhvillohen ndeshjet e para gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, ndërsa duelet e kthimit luhen më 1 maj

Mesjava do t’i sjell ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.

Dy ndeshje do të zhvillohen të mërkurën duke filluar nga ora 15:00.

Vëllaznimi e pret Trepçën ’89 në Gjakovë, shkruan Gazeta Express.

Kuqezinjtë e synojnë përsëri finalen, të cilën e kishin arritur vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, “Xehetarët” e duan po ashtu finalen dhe e synojnë këtë trofe, përmes së cilit mendojnë të dalin në Evropë.

E dueli tjetër gjysmëfinal është ai në mes të Ballkanit dhe Feronikelit.

Therandasit me trajnerin e ri Gani Sejdiu do të tentojnë ta befasojnë liderin e IPKO Superligës.

Kurse, skuadra nga Drenasi po ashtu e do finalen, por edhe triumfin në Kupë, e cila mund t’ia sigurojë pjesëmarrjen në Europa League nëse eventualisht nuk arrin të shpallet kampion i Kosovës.

Gjysmëfinalja luhet me sistemin vajtje – ardhje.

Ndeshjet e para luhen këtë të mërkurë, kurse ato të kthimit më 1 maj.

Ndryshe, Vëllaznimi ka kaluar në këtë fazë pasi e ka eliminuar Dritën në çerekfinale, ndërsa Trepça ’89 ishte më e mirë se Prishtina.

Ballkani në çerekfinale ishte më i mirë se Kika e Hogoshtit gjersa Feronikeli e ka eliminuar skuadrën e Ferizajt.

Fituese aktuale e këtij kompeticioni prestigjioz është Prishtina. /Gazeta Express/

Gjysmëfinalja e Digitalb Kupës së Kosovës

E mërkurë

SSK2 Vëllaznimi – Trepça ’89 (15:00)

SSK1 Ballkani – Feronikeli (15:00)

Te fundit


Kthehu lart