Katër ish-presidentët e Republikës së Maqedonisë së Veriut


Gazeta Express
20 Prill 2019 10:56

Prej pavarësisë së Republikës së Maqedonisë në kolltukun presidencial u ulën katër presidentë. Presidenti i parë Kiro Gligorov dhe ai aktual Gjorge Ivanov postin presidencial e kanë ushtruar në dy mandate, ndërsa nga një mandat kishin Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski.

Kiro Gligorov, presidenti i parë i RM-së (1991-1999)

Presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov është i lindur më 3 maj të vitit 1917 në Shtip.

Gligorovi është zgjedhur President i Republikës së Maqedonisë më 27 janar të vitit 1991 nga Kuvendi i Maqedonisë, kur mori mbështetjen e 114 prej gjithsej 119 deputetëve të pranishëm, ndërsa për herë të dytë është zgjedhur në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale të mbajtura në tetor të vitit 1994.

Në zgjedhjet morën pjesë dy kandidatë, presidenti i atëhershëm aktual Kiro Gligorov i cili mori 52,4 për qind (715.087 vota ) nga votat e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve të regjistruar në Listën e zgjedhësve, derisa kundër-kandidati i tij Lubisha Georgievski 21,6 për qind (197.109 vota).

Gjatë mandatit të tij si shef i shtetit ndodhën disa nga zhvillimet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Republikës së Maqedonisë. Në referendumin e mbajtur më 8 shtator të vitit 1991 u shpall pavarësia e vendit, ndërsa Maqedonia ishte edhe e vetmja ish-republikë jugosllave që u pavarësua përmes rrugës paqësore. Më 17 nëntor të vitit 1991 u miratua Kushtetuta e re, ndërsa më 8 prill të vitit 1993 Republika e Maqedonisë u bë anëtarja e 181-të e Kombeve të Bashkuara.

Më 3 tetor të vitit 1995 u krye atentat mbi presidentin Gligorov. Ai i mbijetoi atentatit me lëndime të rënda në pjesën e kokës. Sulmi ishte kryer me automobil-bombë në rrugën “Maqedonia” në Shkup, kur Gligorovi me makinë zyrtare lëvizte nga rezidenca e tij drejt vendit të punës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Deri tani nuk janë zbuluar as porositësit, as autorët e atentatit.

Pas pensionimit Kiro Gligorovi ishte aktiv si publicist. Ai është autor i disa veprave, kryesisht të shkruara pas përfundimit të mandatit të tij si president – “Maqedonia është gjithçka që kemi” (2001), “Atentat – një ditë më pas“ (2002), „Kohëra furtune: Republika e Maqedonisë realitet në Ballkan“ (2004) dhe „Të gjitha reformat (ekonomike) jugosllave“ (2006).

Ai është themelues edhe i fondacionit “Kiro Gligorov” që mbështetë projekte nga kultura dhe arti.

Kiro Gligorovi ishte funksionari më i vjetër politik maqedonas. Më 19 nëntor të vitit 1999, kur përfundoi mandati i tij i dytë presidencial, ai ishte në moshën 82 vjeçare, ndërsa në vitin 2000, Libri i rekordeve të Ginesit e regjistroi Gligorovin si Presidentin më të moshuar të shtetit në botë.

Presidenti Gligorov ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012 në shtëpinë e tij në Shkup.

Boris Trajkovski, presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë, është i lindur më 25 qershor të vitit 1956 në Strumicë.

Në vitin 1980, është diplomuar në Fakultetin Juridik në Shkup, pas çka ka specializuar të drejtën afariste dhe të drejtën e marrëdhënieve të punës. Në vitin 1997 është emëruar shef i Kabinetit të kryetarit të Komunës së Kisella Vodës, ndërsa në vitin 1998 është zgjedhur zëvendësministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Trajkovski u inaugurua si presidenti i dytë me radhë i Maqedonisë më 15 dhjetor të vitit 1999.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 31 tetor, ndërsa i dyti më 14 nëntor të vitit 1999. Për shkak të parregullsive të konstatuara procesi zgjedhor nga raundi i dytë ishte përsëritur më 5 dhjetor të vitit 1999.

Kundër-kandidatë të tij në zgjedhjet në raundin e parë ishin Tito Petkovski, Vasill Tupurkovski, Muarem Nexhipi, Stojan Andov dhe Muhamed Halili.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve morën pjesën kandidatët Tito Petkovski dhe Boris Trajkovski. Pas mbajtjes së raundit të dytë dhe pas rivotimit në disa vendvotime të caktuara, Boris Trajkovski mori 53,2 për qind të votave (582.808 vota), ndërsa Tito Petkovski 46,8 për qind (513.614 vota).
Në votimin në raundin e dytë dolën gjithsej 1.096 422 votues ose 68,08 për qind e zgjedhësve të regjistruar.

Boris Trajkovski e ushtroi postin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë prej 15 dhjetorit të vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004, kur humbi jetën tragjikisht në fatkeqësi ajrore bashkë me tetë bashkëpunëtorët në afërsi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë. Ai ishte në moshën 47 vjeçare.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, përkohësisht gjatë periudhës prej 26 shkurtit deri në maj të vitit 2004, në krye të shtetit qëndroi Lupço Ordanovski, ushtrues i atëhershëm i postit kryetar i Kuvendit të RM-së.

Gjatë mandatit të tij në Maqedoni në vitin 2001 ndodhën veprime luftarake në të cilat forcat e sigurisë së Republikës së Maqedonisë luftonin kundër formacionit paraushtarak shqiptar (UÇK). Konflikti i armatosur përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit në gusht të vitit të njëjtë.

Bota shikonte në Presidentin Trajkovski një lider të ri me orientim properëndimor, si paqedashës i cili evitoi luftë civile në Maqedoni.

Branko Cërvenkovski, presidenti i tretë i RM-së (2004-2009)

Branko Cërvenkovski është presidenti i tretë i Republikës së Maqedonisë. Është i lindur më 12 tetor të vitit 1962 në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë.

Në vitin 1990, në zgjedhjet e para shumëpartiake në Maqedoni, e cila ende gjendej në kuadër të RSF të Jugosllavisë, është zgjedhur deputet në përbërjen e parë të Kuvendit. Në prill të vitit 1991, Cërvenkovski u zgjodh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Më 5 shtator të vitit 1992, u bë kryeministri i dytë i Republikës së Maqedonisë pas pavarësimit të saj nga Jugosllavia. Në moshën 29 vjeçare, ai ishte kryeministri më i ri në Evropë, gjatë asaj periudhe. Mandatin e dytë kryeministror e ka marrë pas zgjedhjeve në dhjetor të vitit 1994.

Në zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme presidenciale në Republikën e Maqedonisë, të mbajtura pas humbjes së jetës nga Presidenti Boris Trajkovski, në raundin e dytë të mbajtur më 28 prill të vitit 2004, Branko Cërvenkovski është zgjedhur shef i shtetit.

Në zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme presidenciale në prill të vitit 2004, Branko Cërvenkovski si kandidat i LSDM-së, fiton dhe ulet në krye të shtetit deri në vitin 2009.

Qytetarët në raundin e parë zgjedhor të mbajtur më 14 prill të vitit 2004, zgjidhnin mes katër kandidatëve të propozuar: Branko Cërvenkovski nga LSDM-ja, Gëzim Ostreni nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Zudi Xhelili nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Sashko Kedev nga VMRO-DPMNE-ja.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtur më 28 prill të vitit 2004, shumicën e votave i mori Branko Cërvenkovski. Ai mori besimin e 550.317 votuesve, gjegjësisht 62,6 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, përballë Sashko Kedevit i cili ishte mbështetur me 329.179 vota, gjegjësisht 37,4 për qind të numrit të përgjithshëm të fletëvotimeve të vlefshme.

Më 12 maj të vitit 2004 Cërvenkovski mori postin e Presidentit dhe u tërhoq nga detyra e kryeministrit dhe nga posti i kryetarit në parti.

Branko Cërvenkovski ushtronte postin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë nga 12 maji i vitit 2004 deri më 12 maj të vitit 2009.

Gjatë mandatit presidencial të Cërvenkovskit, Republika e Maqedonisë u bë vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjorge Ivanov, presidenti i katërt i RM-së (2009- 2019)

Presidenti aktual i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov është i lindur më 2 maj të vitit 1960 në Vallandovë. Në vitin 1995 është zgjedhur për asistent në Fakultetin Juridik në Shkup, ndërsa në vitin 1998 për docent të lëndëve Teori politike dhe Filozofi politike. Një vit më vonë është zgjedhur viziting profesor i studimeve postdiplomike për Evropën Juglindore në Universitetin e Athinës. Prej vitit 2000 është anëtar i Këshillit të drejtorëve të studimeve postdiplomike evropiane për demokraci dhe të drejtat e njeriut të Universitetit të Bolonjës dhe koordinator i kursit për demokraci, që realizohet në Universitetin e Sarajevës. Prej vitit 2001 është udhëheqës i Studimeve politike në Fakultetin Juridik në Shkup. Në vitin 2002 është zgjedhur profesor i çrregullt, ndërsa më 2008-ën edhe profesor i rregullt. Prej vitit 2004 deri në vitin 2008 është prodekan i Fakultetit Juridik. Prej vitit 2008 është kryetar i Këshillit për akreditim të arsimit të lartë të Republikës së Maqedonisë.

Ivanovi është zgjedhur në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 22 mars dhe 5 prill të vitit 2009.

Në këto zgjedhje në raundin e parë morën pjesë shtatë kandidatë për President të shtetit. Krahas Gjorge Ivanovit në garën zgjedhore për President morën pjesë edhe Lubomir Fërçkoski si kandidat i LSDM, Imer Selmani nga Demokracia e Re, Lube Boshkoski si kandidat i pavarur, Agron Buxhaku nga BDI-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja dhe për herë të parë një grua kandidate e mbështetur nga PDSH-ja, Mirushe Hoxha.

Raundi i dytë i zgjedhjeve u mbajt më 5 prill të vitit 2009, Gjorge Ivanov mori 63,14 për qind, gjegjësisht 453.616 nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme derisa kandidati presidencial Lubomir Fërçkoski e mbaroi garën presidenciale duke marrë 36,86 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, gjegjësisht 264.828 vota.

Në zgjedhjet e pesta me radhë presidenciale që u mbajtën në prill të vitit 2014, Presidenti Ivanov si kandidat i VMRO-DPMNE-së sërish u zgjodh dhe mori mandat të ri pesëvjeçar.

Gjorge Ivanov, si kandidat i VMRO-DPMNE-së mori 55,28 për qind, gjegjësisht 534.910 të numrit të përgjithshëm të fletëvotimeve të vlefshme, derisa kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski 41,14 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, gjegjësisht 398.076 vota.

Në garën presidenciale krahas Ivanovit dhe Pendarovskit morën pjesë edhe Zoran Popovski nga GROM-i dhe Ilijaz Halimi nga PDSH-ja.

Njëherësh me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për herë të parë në këto zgjedhje presidenciale shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë ose punojnë jashtë vendit kishin të drejtë të votojnë jashtë vendit.

Vitin e fundit të mandatit të dytë të Presidentit Gjorge Ivanov, mes tjerash, do ta shënojë mosnënshkrimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe të Dekretit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, si dhe nënshkrimi i Ligjit për amnisti për të akuzuarit në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e RM-së./GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart