Katër ditë nga zhdukja e llapjanit, pamje ku u pa për herë të fundit


Merita Miftari
19 Maj 2019 11:13

Hetem Dedaj, 44 vjeçar, nga Burica e Podujevës, ka katër ditë që është zhdukur. Që nga dita e mërkurë, familja nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij. Telefonin e ka të ndalur, ndërsa për herë të fundit është parë duke hipur në stacionin e autobusëve në Podujevë për të ardhur në Prishtinë. Vëllai i tij, Mehdiu, tregon se Hetemi ka pasur shëndet të mirë mendor dhe fizik. Thotë se nuk ka qenë i futur në ndonjë telashe.

Hetem Dedaj udhëtonte çdo ditë nga Podujeva në Prishtinë për të kërkuar punë. Ai kohë pas kohe arrinte të punonte si punëtor fizik në ndonjë shtëpi private. Ditën kur edhe është zhdukur, babai i dy fëmijëve ishte nisur për të punuar.

Gazeta Express ka raportuar për rastin e burrit të zhdukur. Për më shumë rreth kësaj ngajrjeje, vëllai i tij, Mehdiu, flet për momentet e fundit ku është parë Hetemi.

“Vëllai është i zhdukur prej të mërkurës. Të mërkurën është dalë prej shtëpisë në orën 10 e 15, në Prishtinë ka mbërritur në orën 11 e 34”, tha Mehdiu.

Nga ajo ditë, familjarët e kanë kërkuar në shumë vende si dhe rastin e kanë raportuar në polici, mirëpo ende nuk ka asnjë të re rreth vendndodhjes së tij.

“Telefon ka majt me veti, e ka të ndalur. E kemi raportu në polici të enjten…Te të afërmit kemi kqyr, nuk e kemi gjet kerkund hiç”, rrëfen Mehdiu.

Ai thotë se Hetemi ka qenë në gjendje të mirë fizike dhe psikike, por frikësohet se ka mundur t’i ndodhë diçka atë ditë.

“Me shëndet mirë u kan, po e kom dyshimin që është i dekt, e ka lëshu shpirti dikun”, thotë Mehdiu.

Mehdi Dedaj ka gruan dhe dy fëmijë. Familjarët e tij lusin të gjithë njerëzit që në rast se kanë ndonjë informacion për të, të lajmërohen.

Gazeta Express ka siguruar pamje ku është parë për herë të fundit babai i dy fëmijëve.

Momenti kur niset nga Podujeva në Prishtinë

Momenti kur mbërrin në Prishtinë

Hetemin e kanë parë shokët e tij të mërkurën, por më nuk dinë asgjë për të, përfundoi vëllai i tij, Mehdiu./Gazeta Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart