Islam Selmani është ndalur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të karatesë, i cili po mbahet në Yerevan të Armenisë.
Garuesi kosovar u mposht nga karateisti rus, Akhmed Akhmedov duke iu shuar kështu shpresa për ta fituar medaljen e artë evropiane, shkruan “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, karateisti kosovar e ka edhe një mundësi për medalje, respektivisht për të bronztën.
Paraprakisht, Selmani i fitoi tri luftëra duke i mposhtur fillimisht karateistët Adam Hamill nga Skocia dhe Mario Petre nga Rumania para se të triumfonte edhe ndaj grekut Christos-Stefanos Xenos, për ta prekur kështu gjysmëfinalen në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Medaljen e bronztë të shtunën do ta kërkojë edhe Betim Maliqi në kategorinë deri në 75 kilogramë pasi dje shkoi deri në gjysmëfinale.
Garuesit tjerë kosovarë u eliminuan kryesisht më herët në Evropianin e karatesë. /Gazeta Express