Instituti GAP ka publikuar një raport, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, ku ndër tjerash flitet edhe për të rinjtë dhe tregun e punës, shkruan Gazeta Express.
Në raport vlerësohet ‘‘karakteristikë shqetësuese’’ statistika që rreth 30% e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim ose trajnim
‘‘Rritje e pjesëmarrjes së të rinjve në tregun e punës
Një karakteristikë tjetër shqetësuese e tregut të punës në Kosovë është niveli i lartë i të rinjve jashtë punës. Rreth 30% e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim ose trajnim (NEET).45 Kosova ka normën më të lartë të pjesëmarrjes NEET krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ky nivel tejkalon mesataren në shtetet e BE-së me mbi 20% (Tabela 2 në Shtojca). Kjo kategori përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rinore dhe përfaqëson një sfidë serioze për zhvillimin ekonomik të vendit. Për të adresuar këtë çështje, nevojiten politika efektive që promovojnë aktivizimin e të rinjve në tregun e punës dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre profesional’’, thuhet në raport.
Tutje shtohet se trajnimet mund t’u mundësojë këtyre personave në mënyrë që të bëjnë kalimin nga jo-aktiviteti në punësim direkt
‘‘Shumë persona që i përkasin kategorisë NEET nuk kanë aftësitë dhe kualifikimet e nevojshme për të hyrë në tregun e punës. Programet e trajnimit profesional, të fokusuara në aftësitë që kërkohen nga sektorët me kërkesë të lartë, janë thelbësore. Përvoja praktike shpesh është një pengesë për personat, pjesë e NEET, dhe lidhja e tyre me mundësi praktike si punët praktike profesionale dhe stazhet në kompani lokale mund t›i ndihmojë ata të fitojnë eksperiencë të vlefshme pune. Trajnimet mund t’u mundësojë personave në NEET kalimin nga jo-aktiviteti në punësim direkt. Për të inkurajuar kompanitë të punësojnë këta persona, qeveria dhe autoritetet lokale duhet vazhdojnë të ofrojnë stimuj për bizneset që punësojne të rinj që janë jo-aktivë në tregun e punës’’, shtohet aty.
Po ashtu, në raport zgjerimi i mundësive për mësim përmes punës do të ndikonte pozitivisht në përshtatjen e aftësive të individëve me kërkesat e tregut të punës.
‘‘Zgjerimi i mundësive për mësim përmes punës do të ndikonte pozitivisht në përshtatjen e aftësive të individëve me kërkesat e tregut të punës, duke kontribuar në zvogëlimin gradual të hendekut midis aftësive të individëve dhe nevojave të tregut për punë. NEET janë burim për ekonominë dhe mungesa e investimit në trajnime të tyre mund të rezultojë në kapital të humbur per tregun vendor të punës’’, thuhet në raport.