Kapiteni Koscielny s’pranon të udhëtojë me skuadrën e Arsenalit


Gazeta Express
11 Korrik 2019 12:32

Faqja zyrtare e Arsenalit ka bërë të ditur se Laurent Koscielny nuk ka pranuar të udhëtojë me skuadrën e “Topçinjve” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku anglezët do ta zhvillojnë turneun parasezonal.

Francezi është kapiteni i klubit londinez, mirëpo ata besohet se duan ta shesin futbollistin gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që trajneri Unai Emery është duke tentuar ta rindërtojë mbrojtjen e skuadrës, transmeton Gazeta Express.

Koscielny ka shërbyer në Arsenal që kur iu bashkua klubit në vitin 2010. Ai mungoi në pjesën e parë të sezonit të kaluar për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë fushës së blertë për dhjetë muaj.

Arsenali tani është i gatshëm ta lërë Koscielnyn të largohet edhe si transferim i lirë verën e ardhshme, kur i përfundon kontrata. Për të besohet se janë të interesuara disa klube franceze, si dhe Bayer Levekuseni.

“Laurent Koscielny ka refuzuar të udhëtojnë në SHBA për turneun tonë parasezonal. Jemi shumë të zhgënjyer nga veprimet e Laurentit, të cilat janë në kundërshtim me udhëzimet tona të qarta”, shkruhet në deklaratën e klubit londinez.

“Shpresojmë se do ta zgjidhim këtë problem së shpejti dhe nuk do të ofrojmë asnjë koment tjetër shtesë për këtë çështje”.

Gjatë turneut parasezonal, të cilin do ta nisë me ndeshje më 16 korrik, Arsenali do të përballet me klube si Bayern Munichu, Real Madridi, Barcelona, Lyon, Fiorenta e Colorado.

Pastaj, pasi ta ketë zhvilluar ndeshjen finale të parasezonit – kundër Barcelonës më 4 gusht, Arsenali do ta nisë rrugëtimin në sezonin e ri të Premierligës me përballjen kundër Newcastle më 11 gusht. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart