Zgjedhjet presidenciale të Real Madridit kanë krijuar për herë të parë pas 20 vitesh një garë të vërtetë për pushtet, pasi Florentino Pérezi ka thirrur zgjedhje.
Rivali i tij është Enrique Riquelme, i cili ka dhënë deklarata të forta ndaj Barcelonës në një intervistë për podcastin “The Wild Project”.
Riquelme deklaroi: “Dua ta shoh Barcelonën në kategorinë e dytë. Do të më pëlqente shumë. Nuk do të kisha asnjë problem me këtë dhe do të isha i lumtur. Dhe kjo nuk është mungesë respekti. Madje do të doja që Barcelona të zhdukej. Nuk do të kisha asnjë problem me këtë”.
Kjo fundjavë konsiderohet shumë e rëndësishme për tifozët me të drejtë vote, pasi për një periudhë të gjatë Pérez ka kandiduar pa kundërshtarë. E diela është dita e zgjedhjeve.
Megjithëse marrëdhëniet aktuale mes dy klubeve janë të tensionuara, ka pasur periudha kur Real Madridi dhe Barcelona kanë bashkëpunuar në çështje biznesi, veçanërisht për të drejtat televizive dhe projekte të tjera ekonomike.
Duke folur për këtë, Riquelme akuzoi Pérezin se kishte ndihmuar Barcelonën në momente të vështira financiare.
“Sa herë që ata ishin në vështirësi. Nëse do të isha unë aty, ju siguroj se jo vetëm që nuk do t’i kisha ndihmuar, por as nuk do t’u kisha zgjatur dorën. Është një rivalitet i shëndetshëm, por kur ke konkurruar në një mënyrë që përfshin pagesa ndaj zëvendëspresidentit të arbitrave…”, vazhdoi ai.
Riquelme vazhdoi me kritika edhe ndaj mënyrës se si drejtohet Real Madridi, duke pretenduar se vendimet kryesore nuk merren gjithmonë drejtpërdrejt nga Pérez dhe se në disa negociata ka pasur interesa personale.
Ai tha: “Përmes kompanisë së tij personale, si dhe bizneseve të tjera që zotëron, ai i faturon Real Madridit drejtpërdrejt dhe tërthorazi për gjithçka. Ai është i përfshirë në Superligë sepse është aksionar në kompaninë që e krijoi atë, si dhe në procesin e privatizimit që po zhvillon vetë”.
Këto deklarata kanë shtuar tensionet në një fushatë zgjedhore që ka qenë e mbushur me akuza dhe kundërakuza, ndërsa anëtarët e Real Madridit po përgatiten të zgjedhin mes vazhdimit të epokës së Florentino Pérez dhe alternativës së ofruar nga Enrique Riquelme./GazetaExpress/