“Kajmaku” i trashë i mashtrimeve të kryebashkiakut të Vorës


Gazeta Express
18 Shtator 2019 14:34

Gjatë gjithë të hënës mediat pranë qeverisë gati e kanë shpallur si kajmakun e të mbrojturve prej tyre, kryebashkiakun e zgjedhur në Vorë nga votimet e 30 qershorit, me aryetimin se një gjykatë e Janisës e kishte shpallur atë të pafajshëm. Gjyqtarja Kristina Andoniu e ka lehtësuar atë nga akuza se ka blerë mall me para fallco në shtetin fqinj në 13 janarin e vitit 2003, kur ai mbante emrin e rremë Jorgo Toto. Ai ishte ndaluar dhe më pas shpallur në kërkim pasi u kap në flagrancë me monedha të falsifikuara në Janinë, duke blerë produkte bujqësore.

Pa ngritur asnjë pyetje se si ku kujtua Kajmaku vetëm pas 16 vitesh ta mbyllte procesin e tij kur u bë kryebashkiak, se si prokuroria po e zvarrit zbardhjen e kësaj afere duke luajtur kukafshehti me shenjat e tij të gishtave, mediat pro qeveritare shpallën triumfin e Kajmakut. Madje ato shkuan aq larg sa të shpallnin solemnisht: Bien akuzat e PD-së (shiko faksimilen poshtë).

Por menjëherë Sekretari i përgjithshëm i PD që ka marë përsipër rolin e denoncuesit të kryebashkiakëve të kriminalizuar, Gazment Bardhi këmbënguli në të kundërtën. Sipas tij dhe pse është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Janinës, Kajmaku pritet të “digjet” nga ligji i dekriminalizimit, pasi ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit, duke fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto.

Natyrisht këto pozicione diametralisht të kundërta ia vlen të verifikohen me dokumenta dhe në ballafaqim me ligjin. Vetëm duke bëre këtë “Check Facting”, vetëm duke parë çfarë është shkruar në formularin e tij dorëzuar në KQZ, e kupton se Kajmaku është zhytur deri në grykë në gënjeshtër.

Pafajësia e marrë në Janinë nuk e shpëton atë nga ligji i dekriminalizimit. Shkelja e parë që ai ka bërë është se ka ofruar të dhëna të rreme dhe ka mbajtur të fshehtë faktin që është hetuar, apo gjykuar nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale.

Në hyrje të formularit të vetëdeklarimit Agim Kajmaku pranon se në të shkuarën ka mbajtur emrin Jorgo Toto. Pikërisht me këtë emër ai rezulton i hetuar dhe gjykuar në Greqi në vitin 2003 për akuzën e falsifikimit të parave.

Ndonëse Gjykata e Janinës e shfajësoi me argumentimin se nuk provohet që Agim Kajmaku është vetë falsifikatori i parave në fjalë dhe se ai vetë ka qenë viktimë e këtij falsifikimi, ai është fajtor në raport me ligjin shqiptar dhe jo me atë grek. Ai ka gënjyer në dokumentin e dekriminalizimit. Në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 13 maj 2019 (Poshte), pyetjes numër tre që thotë: “A keni qenë ndonjëherë në hetim, ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale?”, Agim Kajmaku i është përgjigjur duke vendosur shenjën X tek “Jo”-ja.

Ai ka gënjyer me të njëjtën gjakftohtësi edhe në pyetjen:“A keni qenë ndonjëherë i ndaluar, apo i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale?”, thotë kjo pyetje. Edhe këtu, Agim Kajmaku ka vendosur shenjën X tek përgjigja “Jo”.

Ai ka përsëritur të njëjtën gjë edhe me pikën ku i kërkohet kandidatit për t’u zgjedhur, ose emëruar të përgjigjet nëse ka qenë caktuar ndonjëherë ndaj tij një masë shtrënguese e sigurisë personale. Edhe këtu, Agim Kajmaku përgjigjet me “Jo”.

Pra, është e qartë se Agim Kajmaku e humbet automatikisht postin e kryetarit të Bashkisë së Vorës, pavarësisht se ka marrë pafajësinë në Janinë. Madje jo vetëm kaq por ai rrezikon edhe burgun, pasi ligji i dekriminalizimit e thotë troç:“deklarimi i rrethanave të rreme, ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenin 190 të Kodit Penal” të cilat mund të shkojnë nga gjashtë muaj deri në katër vite burg./Lapsi

Te fundit


Kthehu lart