Juventusi shkruan historinë në Itali dhe Evropë me titullin e Serisë A


Gazeta Express
20 Prill 2019 23:10

Juventusi i ka thyer një numër të rekordeve me titullin e tetë radhazi të Serisë A, pasi që asnjë skuadër tjetër në top pesë ligat e Evropës nuk kishte arritur ta fitonte titullin e ligës tetë herë radhazi.

“Zonjës së Vjetër” i duhej vetëm një pikë për ta siguruar kurorën e mbretit të futbollit të Italisë, mirëpo në këtë situatë ata kishin qenë edhe në ndeshjen e xhiros së kaluar, kur SPAL i mposhti me rezultat 2:1, transmeton Gazeta Express.

Por, këtë herë, kundër Fiorentinës, djelmoshat e Massimiliano Allegrit u treguan më të saktë, përkundër që Nikola Milenkovic i kaloi fillimisht në epërsi mysafirët. Por, goli Alex Sandros dhe autogoli i German Pezzella e ktheu rezultatin në favor të Juventusit.

Ky rezultat bën që Juventusi ta ketë siguruar titullin e tetë radhazi të Serisë A, diçka që asnjë klub nga top pesë ligat më të mëdha të Evropës nuk e kishte arritur më parë.

Rekordi paraprak ishte shtatë tituj radhazi, i vendosur nga Olympique Lyonnais nga sezoni 2001/02 në sezonin 2007/08.

Duke e fituar titullin e ligës me pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, Juventusi e barazon rekordin që ishte vënë nga Interi në sezonin 2006/07.

Kjo ishte ndeshja e 150-të e zhvilluar në kuadër të Serisë A në stadiumin e Juventusit, ku e regjistruan fitoren e 127-të dhe e shënuan golit e 335-të. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart