Juventusi e rrit ofertën për De Ligtin


Gazeta Express
10 Korrik 2019 10:59

Juventusi është i gatshëm t’ia plotësojë kërkesën Ajaxit dhe t’i ofrojë 75 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit holandez, Matthijs de Ligtit, për sezonin e ardhshëm.

E përditshmja italiane, Gazzetta dello Sport, raporton se Juventusi më herët i kishte ofruar 67 milionë euro për Matthijs de Ligtin, mirëpo Ajaxi ia kishte bërë të ditur se nuk do të pranojë ofertë nën 75 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, po i njëjti medium sot raporton se bardhezinjtë janë të gatshëm t’ia bëjnë ofertën prej 75 milionë eurove Ajaxit gjatë orëve në vazhdim, pasi që trajneri Maurizio Sarri dëshiron që ky transferimet të kompletohet qysh këtë javë.

Kur të arrihet marrëveshja mes dy klubeve për çmimin e futbollistit, atëherë 19-vjeçari do të udhëtojë drejt Torinos për t’i kryer testet mjekësore dhe për ta nënshkruar kontratën e tij të me kampionin e Serisë A.

Ai besohet se tashmë ka arritur marrëveshje me Juventusin për kontratën e tij, e cila besohet se do të jetë pesëvjeçare dhe do t’ia sjellë holandezit rreth nëntë milionë euro në vit, plus bonuset.

Matthijs de Ligt kishte zbuluar se Cristiano Ronaldo i kishte kërkuar atij t’i bashkohet Juventusit në një bisedë në fushë pas finales së Ligës së Kombeve, të cilën e fitoi Portugalia.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Ronaldo dhe De Ligt u panë duke qeshur, prandaj qendërmbrojtësi i Ajaxit u pyet se çfarë kishte biseduar me sulmuesin e Juventusit.

“Ronaldo më kërkoi t’i bashkohem Juventusit. U trondita pak nga kjo pyetje, prandaj qesha. Nuk e kuptova atë në fillim”, tha De Ligt për NOS.

Për De Ligt janë në garë shumë klube të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën, Manchester City dhe Bayern Munich. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart