Inter dhe Juventus nisin bisedimet për shkëmbimin Icardi-Dybala


Gazeta Express
1 Qershor 2019 15:48

Icardi në Juventus, Dybala në Inter? Në Itali tani besojnë se kjo është e mundshme, me ndihmën edhe të Giuseppe Marottas.

Inter dhe Juventus janë duke diskutuar për shkëmbimin e mundshëm të Mauro Icardit me Paulo Dybalan, raporton “Gazzetta dello Sport”, transmeton Gazeta Express.

Dy futbollistët në fjalë pothuajse kanë të njëjtin çmim në treg dhe problemet e njëjta me klubet respektive.

Icardit i është marrë shiriti i kapitenit dhe statusi i tij ka ndryshuar rrënjësisht.

Ai është pjesë e Interit që nga viti 2-13. Ai ka bërë 218 paraqitje për Interin dhe ka shënuar 124 gola.

Në anën tjetër, Dybala shpesh është lënë në stol sezonin që lamë pas dhe është duke e konsideruar largimin.

Afrimi i Antonio Contes te Interi mund ta bindë argjentinasin që të kërkojë për një aventurë të re, pasi në Torino ka mbetur nën hijen e Cristiano Ronaldos.

Dybala është pjesë e Juves që nga viti 2015. Për katër sezone, ai ka bërë 182 paraqitje dhe ka shënuar 78 gola.

Në Itali besojnë se shkëmbimi Icardi-Dybala është i mundshëm, sepse bisedimet tashmë kanë nisur zyrtarisht me insistimin e njeriut që e njeh shumë mirë 25-vjeçarin e Juves, Giuseppe Marotta.

Ai u largua këtë vit nga “Zonja e Vjetër” për të kaluar te Interi dhe të gjithë i kanë shpresat te Marotta që të ndërtojë një skuadër për të ardhmen. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart