“Ju puth të gjithëve”, mesazhi i fundit i gazetares italiane para se të vdiste


Gazeta Express
14 Gusht 2019 8:13

Lajm i trishtë sot për Italinë, gazetarja investigative, Nadia Toffa, ka vdekur në moshën 40-vjeçare

Karakter i hekurt, profesioniste e paanshme, gjithmonë në kërkim të së vërtetës, Nadia Toffa humbi betejën me jetën pas 2 vitesh kundër një sëmundjeje të pashërueshme, saktësisht ajo vuante nga tumori në tru.

Nadia Toffa nisi karrierën e saj si gazetare më vitin 2009 në një televizion lokal në qytetin e saj në Breshia.

Më pas u bë pjesë e stafit të emisionit investigativ “Le Iene”. ku u dallua për investigimet e saj të suksesshme si mashtrimet e farmacive në dëm të konsumatorëve, trafiku ilegal i plehrave për llogari të mafies puglieze Kamorra, shfrytëzimi i prostitucionit minoren, anoreksia etj.

Debutimi i saj dhe si moderatore televizive vjen më vitin 2016 kur i besohet drejtimi i programit ‘Open Space’, në Mediaset.

Historinë e betejës së saj kundër kancerit gazetarja italiane e rrëfen në librin autobiografik” Të lulëzosh në dimër”.

Ishte dimri i 2017, data 2 dhjetor kur Nadia humbi ndjenjat në një hotel në Trieste ku po punonte për të realizuar investigimin e radhës.

Prej atij momenti nisi kalvari i gjatë i një sëmundje të pashërueshme.

Edhe gjatë ciklit të kimioterapisë Nadia Toffa ishte në kërkim të së vërtetës duke denoncuar çdo mjek sharlatan popullor që bindte të sëmurët për të mos u kuruar në spitale.

“Nuk duhet pasur frikë ta thërrasësh në emër këtë sëmundje, shkruante Nadia – ndoshta ky bastard do trembet duke e parë në fytyrë e drejt në sy.”

“Është një sfidë që ndoshta mund të mos e fitoj, por më duhet të luftoj deri në momentin e fundit”, shprehej Nadia për emisionin “Verissimo”.

Sot në lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta kolegë gazetarë, drejtues të Mediaset, e njerëz të thjeshtë përcjellin përmes komenteve të tyre dhimbjen e kësaj humbje.

“Ju puth të gjithëve…” shkruan Nadia Toffa në postimin e saj të fundit në instagram, e qeshur dhe e drejtpërdrejtë me fansat e saj me të cilët bashkëbisedonte mbi të nxehtit e verës 2019.

“Asgjë për ne nuk do jetë si më parë”, shkruan në rrjetet sociale redaksia e Hienave duke i dhënë lamtumirën një prej gazetarëve më të suksesshëm investigativ.

Te fundit


Kthehu lart