Ju lutemi, z. Kurti, është radha juaj - Gazeta Express
string(38) "ju-lutem-z-kurti-eshte-radha-e-juaj-85"

Gazeta Express

03/02/2020 17:56

Ju lutemi, z. Kurti, është radha juaj

Gazeta Express

03/02/2020 17:56

Sot erdhi radha e tij. Shumë politikanë e kishin radhën e tyre gjatë këtyre 20 vjetëve. Shumë prej tyre e kishin kundërshtar kryesor Albin Kurtin. Sot, Albin Kurti u bë kryeministër, kurse të gjithë ata i ka kundër vetes. Sot është mbyllur një epokë dhe ka nisur një tjetër.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Për të mbërritur në pozitën më të lartë në vend, atë të Kryeministrit të Kosovës, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e ka bërë rrugën e plotë.

Në asnjë moment të rrugëtimit të tij, ai nuk ka provuar që të kapë ndonjë rrugë më të shkurtër që e çon më shpejt në pushtet. Përkundrazi, për t’i qëndruar besnik parimeve të tij, ai dukej sikur po ikte nga pushteti.

Albin Kurti në pushtet është i ri, në politikë është më i vjetër, kurse në skenën publike është veteran. Ai është shfaqur në publik në vitin 1997, atëherë kur pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk kanë ditur kush janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e shumë e shumë të tjerë. Vetëm Isa Mustafa ishte para tij.

Demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër regjimit të Beogradit e kishin sjellë Kurtin në plan të parë. Edhe pse nuk ishte kryetar i studentëve, Kurti, për shkak të njohurive të gjuhëve të huaja dhe “look”-ut të tij, kishte arritur që ta vidhte “show”-n. Student rebel urban, atraktiv për mediet dhe diplomatët e huaj.

Arrestimet e tij të shpeshta dhe tërheqja e tij zvarrë nga policia e Serbisë ishin inspiruese për studentët e tjerë në Prishtinë. Pamjet e tilla shërbenin për vetëbesim dhe shpresë se nuk kishte marrë fund çdo gjë, ndonëse periudha depresive e viteve të 90’a shumëkënd e kishte thyer.

Kokëfortësia e tij nuk kishte kaluar e pavërejtur në asnjë drejtim. I kishte rënë në sy policisë serbe, u kishte rënë në sy qytetarëve të Kosovës, por i kishte rënë në sy edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke pasur nevojë që ta përmirësonin imazhin e tyre, posaçërisht që ta hiqnin damkën e një lëvizjeje të armatosur fshatare, ata kishin menduar që ta shndërronin Kurtin në një “poster boy”. Kështu, në shërbim të kësaj kauze, përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi, e kishte rekrutuar Kurtin në pozitën e sekretarit të Zyrës së UÇK’së.

Në ato vite, kur lufta po i përfshinte të gjitha fshatrat e Kosovës, Kurti kishte vazhduar të punonte në identitetin e tij politik. Kishte filluar që të merrte çdo gjë që e posedonte Adem Demaçi, duke ia shtuar pastaj karakteristikat personale. Ishte pra një lloj Adem Demaçi 2.0. Demaçi e refuzonte Marrëveshjen e Rambujesë, atë e bënte edhe Kurti. Demaçi e përçmonte figurën e Ibrahim Rugovës, atë e bënte edhe Kurti. Demaçi ishte simbol i persekutimit të regjimit serb, ajo do t’i ndodhte më vonë edhe Kurtit.

Pasi kishin filluar bombardimet e NATO’s, ish-lideri i studentëve kishte vazhduar të qëndronte në Prishtinë, ndonëse ishte lehtë e paramendueshme që ai do të mund të arrestohej. Dy dekada më vonë, çdokush e ka një opinion për arrestimin e Kurtit. Dikush mendon që ai do të duhej të ikte në mal për t’iu bashkuar UÇK’së, kurse disa të tjerë që Kurti kishte bërë mirë që nuk e kishte lëshuar Prishtinën. Mirëpo përse kishte vepruar ashtu, këtë e di vetëm ai. E rëndësishme është që Kurti, ndonëse i arrestuar prej një regjimi gjenocidial dhe vrasës, ndonëse i izoluar si kurrë më parë, kishte arritur që edhe nga burgjet serbe ta sfidonte Sllobodan Millosheviqin.

Një mungesë e syçeltësisë së ministrit të drejtësisë së Qeverisë së Serbisë ishte shfrytëzuar nga i burgosuri Kurti në mënyrë të mrekullueshme. Qeveria serbe, duke dashur që t’i tregonte botës se çfarë kushtesh të mira kishin të burgosurit shqiptarë në burgjet e tyre, kishte harruar që klient aty është edhe Albin Kurti. Ky i fundit e kishte marrë fjalën pa e pyetur askënd. Një djalë i ri me një xhemper pa mëngë, me flokë të shkurtër prej një të burgosuri, prapë, sikur në rastin e protestave studentore, ia kishte vjedhur “show”-n ministrit serb. Para dhjetëra medieve të botës, në dy gjuhë, serbisht dhe anglisht, Kurti kishte komunikuar me qindra miliona qytetarë të botës së lirë. U kishte treguar atyre për natyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit. Shqiptarëve të Kosovës një pamje e tillë, një kurajo e tillë, u kishte shërbyer si motivim i jashtëzakonshëm për t’u përballur me ato ditë të rënda. Të burgosurit e tjerë shqiptarë, që kishin bashkëjetuar me të brenda burgjeve të Serbisë, tregojnë se nëse Kurti para kamerave duket kokëfortë, ai ishte shumë më kokëfortë kur kundër trupit të tij ushtrohej dhunë nga policët serbë.

Kurti dhe mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës ditët e para të lirisë së Kosovës nuk kishin arritur t’i përjetonin. Ata kishin vazhduar të mbaheshin edhe më tutje në territorin e Serbisë, herë në burgje e herë në gjykata. Edhe në gjykatën në Nish, atje ku po gjykohej, Kurti e kishte kërkuar pavarësinë e Kosovës. Si përfundim ishte dënuar me 15 vjet burg. Pas rënies së Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, pas një presioni të madh ndërkombëtar, qeveria serbe e kishte liruar atë. Pas kthimit në Prishtinë, ish-lideri i studentëve nuk kishte pushuar asnjë ditë nga aktiviteti politik. Herë me shkrime, herë me protesta, herë me monologë në ekrane televizive, Kurti po i shtynte agjendat e tij. Kishte rezistuar që të bëhej pjesë e partive të atëhershme politike. Në vend të kësaj, ai po përgatiste diçka shumë më të madhe, krejtësisht personale, gati donkishote.

Si nxehje para se të futej në politikë, Kurti i kishte bërë disa vite përvojë në organizata joqeveritare, duke u marrë me probleme sociale dhe të drejtat e njeriut. Ai e dinte që ishte shumë herët që të futej në politikën e madhe. Po e priste që të rritej edhe pak më shumë dëshpërimi i qytetarëve, të cilët, edhe pse tashmë të lirë, po kërkonin diçka më tepër. Po e kërkonin shtetin e tyre. Kurti dëshironte që të bëhej zëri i tyre organik përballë zgjidhjeve të kompromisit të klasës së atëhershme politike. Kështu kishte lindur edhe organizata politike, “Lëvizja Vetëvendosje”. Sa më shumë që shtohej presioni për kompromis politik për statusin e ardhshëm të Kosovës, aq më tepër rritej agresiviteti i Kurtit. Çdo gjë që vinte nga ShBA’ja dhe BE’ja, e që përkrahej nga institucionet e Kosovës, kundërshtohej nga Kurti dhe lëvizja e tij. Çdo plan për statusin e Kosovës për Kurtin ishte i dyshimtë. Ishte tradhti. Për këtë arsye, ai i kishte nxjerrë në rrugë qindra mijëra qytetarë për ta kundërshtuar Pakon e Presidentit Ahtisaari, i cili, bashkë me Albert Rohan-in, kishte ndërmjetësuar për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Me megafon në dorë, Kurti e jepte kushtrimin që askush nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por që ky plan ishte thjesht një tradhti e radhës. E kaluara e tij gati heroike, konsistenca e tij e pashoqe, kishin shkaktuar pasiguri të madhe në popull. Në shkurt të vitit 2007, një vit përpara se të shpallej pavarësia e Kosovës, sheshi “Nëna Terezë” ishte përgjakur. Dy të rinj, aktivistë të LVV’së, ishin vrarë nga njësia speciale rumune, që ishte pjesë e policisë së Rumanisë. Megjithatë, një vit më vonë, Kurti ishte demantuar. Kosova e kishte shpallur pavarësinë dhe ajo u njoh nga më shumë se gjysma e botës. Është pak e besueshme se çfarëdo ideje e Kurtit do të mund të kishte kaluar më mirë në planin botëror. Kështu që, sot e kësaj dite, shtrohet pyetja: A ia ka vlejtur që të humben jetë njerëzish për këtë çështje?

Ngjarjet që rrodhën më pas e zbehën rolin e Kurtit në shoqëri. Kishte ardhur koha e Partisë Demokratike të Kosovës, gjegjësisht kryetarit të saj, Hashim Thaçi. Shpallja e pavarësisë, njohjet e pavarësisë, fillimi i projekteve të mëdha infrastrukturore e rritën reputacionin e Thaçit në shoqëri. Sidoqoftë, kjo nuk zgjati shumë. Aferat e shumta korruptive, kapja e shtetit dhe mungesa serioze e opozitës në Kuvend krijuan boshllëk dhe hapësirë të nevojshme për një opozitë serioze, një opozitë që me asnjë kusht nuk bëhet patericë e pushtetit dhe e qeverive. Kurrkush më shumë se Albin Kurti nuk i plotësonte këto kredenciale.

Kështu ,në vitin 2010, Lëvizja Vetëvendosje, nga një organizatë joqeveritare, nga një organizate që tallej me politikën dhe politikanët, i lë anash performancat me gomerë dhe futet në zgjedhje. Rruga e tij prej vitit 2010 deri në vitin 2020 ishte çdo gjë, përveç e lehtë. Herë u bashkuan me të e herë e braktisën atë. Herë e përdorën atë e herë e keqpërdorën atë. Edhe anasjelltas, herë i përdorte edhe ky e herë i keqpërdorte. Shumëçka ka ndodhur gjatë kësaj dekade, përveç një gjëje: Albin Kurti kurrë nuk e bëri gabimin e madh që një forcë opozitare shpesh e bën, nuk i dha votë qeverisë, nuk e mbështeti qeverinë, nuk u takua me qeverinë, madje as atëherë kur publiku e priste një veprim të tillë. Kurti ishte i prerë. Opozitë deri në fund, me çdo kusht dhe për çdo gjë. Le të dalë kur të dalë. Një politikë dhe një qasje e tillë jo pak herë e ka penalizuar Kurtin dhe shokët e tij. Ata izoloheshin, diplomatët perëndimorë iknin prej tyre, u shmangeshin atyre, nuk u jepeshin viza atyre. Mirëpo Kurti nuk i synonte votat e diplomatëve. Ai e synonte mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, kurse kjo mbështetje mund të vinte vetëm nëse ai e vazhdonte kursin e tij, atë të rebelit të përjetshëm, të panënshtrueshëm. Të panënshtrueshëm edhe ndaj kryengritjeve të mbrëmshme. Dy vjet më parë, Kurti, për të mos bërë kompromise, u pajtua që ta ndante përgjysmë partinë e tij, por jo edhe strategjinë.

Sigurisht që gjatë kësaj kohe, posaçërisht në dy-tre vjetët e fundit, Kurti e ka ndryshuar qasjen ndaj shumë problemeve. Ai sot e sheh pak më ndryshe shtetin e Kosovës, i sheh pak më ndryshe flamurin dhe hymnin e Kosovës, e sheh pak më ndryshe edhe bashkimin kombëtar. Megjithatë, vazhdon të mos e shohë më ndryshe korrupsionin. Prioritetet e tij kanë ndryshuar rënditje. Ajo çfarë ka qenë super-prioritet për të në vitin 2010 nuk ishte për qytetarët, mirëpo ajo çfarë sot është për të super-prioritet është edhe për qytetarët. Ky sinkronizim e bëri atë politikanin më të votuar në vend.

Sot i erdhi radha. Shumë politikanë e kishin radhën e tyre gjatë këtyre 20 vjetëve. Shumë prej tyre e kishin kundërshtar kryesor Albin Kurtin. Sot, Albin Kurti u bë kryeministër, kurse të gjithë ata i ka kundër vetes. Sot është mbyllur një epokë dhe ka nisur një tjetër.

Ju lutemi, z. Kurti, është radha juaj.