“Ju dal dhe në frigorifer!” Ku është zhdukur Edi Rama?


Gazeta Express
22 Nëntor 2019 22:49

Fotoja më sipër është imazhi i fundit në publik i kryeministrit Edi Rama. Dalja e tij e fundit mediatike ishte mbrëmjen e së dielës në ndeshjen Shqipëri – Francë ku edhe u inaugurua stadiumi “Air Albania”. Prej asaj nate kryeministri Edi Rama nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet duke shënuar mungesën më të gjatë në TV që nga zgjedhja e tij kryeministër në 2013-ën.

Rama anuloi edhe takimin e së mërkurës të “bashkëqeverisjes me qytetarët” ku hallexhinjtë falënderojnë “bamirësin” për zgjidhjen e problemit të tyre në hipoteka apo administratë. Por ajo që është më e rëndësishmja, kryeministri shqiptar nuk ka bërë as më të voglin reagim për krizën që ka pushuar Gjykatën Kushtetuese.

As me zë e figurë, as me “cicërima” në rrjetet sociale. Ka munguar qoftë edhe një fjalë e vetme ndaj akuzave të rënda të Presidentit ty Republikës Ilir Meta për kapje të sistemit të drejtësisë dhe gjykatave. Të vetmen deklaratë e bëri në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit të së premtes së kaluar ku akuzoi Metën se “po sulmonte reformën e bërë me mbështetjen e BE dhe SHBA”.

Po ku është kryeministri Edi Rama dhe pse kjo shkëputje nga debati politik? Ai vetë e ka pranuar se nuk rri dot pa dalë në TV …madje dhe në frigorifer.  

Vetëm sot publikoi disa foto nga Riadi i Arabisë Saudite në krah të Princit të Kurorës Muhammed Bin Salman që mbante në dorë pikturat e të parit të qeverisë shqiptare. Rama thotë në postimin e tij se është aty për të diskutuar mbi ecurinë e përgatitjeve të disa investimeve të rëndësishme në turizëm, infrastrukturë dhe kulturë, por Partia Demokratike në një deklaratë të saj, këtë të premte thotë se “Edi Rama vazhdon turin e tij prej sheiku, duke shitur piktura e hapur ekspozita”.

Gjithsesi, nuk është e qartë nëse kjo mungesë në debatin politik është strategji apo Rama po reflekton për atë që po ndodh. ©LAPSI.al

Te fundit


Kthehu lart