Jordan për Bryant: S’mund ta përshkruaj me fjalë dhimbjen për vdekjen e vëllait tim të vogël - Gazeta Express
string(90) "jordan-per-bryant-smund-ta-pershkruaj-me-fjale-dhimbjen-per-vdekjen-e-vellait-tim-te-vogel"

Gazeta Express

27/01/2020 14:14

Jordan për Bryant: S’mund ta përshkruaj me fjalë dhimbjen për vdekjen e vëllait tim të vogël

Gazeta Express

27/01/2020 14:14

Vdekja tragjike në një aksident me helikopter e legjendës së basketbollit, Kobe Bryant, e ka tronditur mbarë botën, përfshirë edhe ikonën e këtij sporti, Michael Jordan – i cili nuk ka gjetur fjalë për ta përshkruar dhimbjen për humbjen e, siç e ka quajtur, vëllait të vogël.  

Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, bashkë me shtatë persona të tjerë, humbën jetën të dielën nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po udhëtonin drejt një ndeshjeje basketbolli në Los Anxhelos, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

41-vjeçari, i cili i kaloi 20 vjet me ekipin e basketbollit në NBA Los Angles Lakers, humbi jetën kur helikopteri me të cilin po udhëtonte shpërtheu në flakë pas rrëzimit në një kodër në Calabasas.

Nderime dhe lëvdata iu bën Bryantit nga figura të ndryshme të sporteve botërore, përfshirë ish-lojtarë dhe lojtarë aktivë të basketbollit, ish-bashkëlojtarë dhe superyje të tjera të sporteve që morën lajmin tragjik.

Michael Jordan vs Kobe Bryant në një duel gjatë karrierës së tyre të shquar.

Në një komunikatë për media, Michael Jordan bëri nderimet e tij për Bryant, i cili ishte ndër lojtarët shumë të pakët që patën nderin të krahasohen me të si lojtar me potencialin për të qenë më i mirë i të gjitha kohëve.

“Jam i tronditur me lajmin tragjik për vdekjen e Kobe dhe Gianna. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dhimbjen që jam duke e ndier. Unë e doja Kobe-n – e kisha sikur vëllain tim të vogël. Ne bisedonim shpesh dhe do të më mungojnë shumë ato biseda”, shkroi Jordan.

“Ai ishte garues i ashpër, njëri prej më të mëdhenjve të basketbollit dhe një forcë kreative. Kobe ishte, po ashtu, edhe baba i mirë, që e donte thellësisht familjen e vet. Ai ishte shumë krenar me dashurinë që e bija e tij kishte për lojën e basketbollit. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për Vanessan (bashkëshorten e Kobe), Lakersave dhe tifozëve të basketbollit nëpër botë”, shtoi ai.

Kushtet atmosferike, mjegulla, re të dendura dhe dukshmëria e ulët, të dielën në mëngjes nuk i plotësonin standardet minimale për fluturim dhe departamenti i policisë në Los Anxhelos i kishte ulur në tokë të gjithë helikopterët e tij, sipas CNN. Kjo mund të ketë çuar në rrëzimin e helikopterit. /Gazeta Express/