Jemi varëfru trishtueshëm nga mungesa e virtyteve të Jasharajve... - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

17/04/2019 17:57

Jemi varëfru trishtueshëm nga mungesa e virtyteve të Jasharajve…

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

17/04/2019 17:57

Ua kemi borxh fëmijëve Memorialin modern të Jasharajve, një Notre-Dam Kosove e jo memoriale fabrikate të ish komunizmit

Nga: Pal Shtufi

Ngrehina e Memorialit të Jasharajve të le përshtypjen e shembjes, jo vetëm të shtëpisë së Jasharjave por edhe të moralit dhe ndërgjegjës tonë kolektive. Pa merak, madhështia e sakrificës sublime të Jasharajve as nuk bie e as nuk ngritet më shumë nese ne e lejojmë rrënimin e ktij memoriali apo nëse ne e ndërtojmë një memorial më të dinjitetshëm. Jasharajt nuk kanë nevojë për memorial. Kosova, po, shumë ka nevojë për memorialin e Jasharajve.

Kemi nevojë për më shumë dinjitet, pergjegjësi e moral të Jasharajve sepse shtëpia e Jasharajve është shtëpia e ndërgjegjës tonë! Ta fillojmë një iniciativë për ndërtimin e një memoriali të pashembullt në hapësirat shqiptare. Arkitekt të mirë e modern kemi mjaft. Ta bëjmë një memorial ku njerëzit mund të shkojnë jo vetëm për një vizitë 30 minutëshe.

Një memorial me bujtina e lokale të mira, ku nën tingujt e muzikës puthen të dashuruarit, vallëzojnë të gëzuarit dhe derdhin lotë nostalgjikët. Një memorial me amfiteatër të hapur, me parqe të bukura, ku njerëzit mund të ulen gjatë e të mendojnë thellë, për të shkuaren, për të tashmen dhe për të ardhmen. Një memorial ku liria ndjehet e përjetohet si falenderim i përbotshëm, si përgjegjësi për jetën e re.

Një memorial me lodrat më të mira për fëmijët, të cilët do të luanin e do të argëtoheshin në oborrin e lirisë. T’ua mundësojmë fëmijëve të llastohen duke ia tundur edhe mjekrrën Adem Jasharit.

Le ta ndjejnë afër, thellë në zemrat e tyre le të ndjehet malli i Tij për ta! Ndoshta kanë nevojë për dorën e tij, për me ndje frymën e tij të fundit se si falet për liri e për paqe të përhershme.

Adem Jashari do derdhte lotë gëzim po t’i shihte të rinjtë duke u puthur pranë shtëpisë së tij, pranë varrit të tij.

Do argëtohej me «simfoninë 58» të zhurmës së fëmijëve duke vrapuar furishëm e pa ndrojtje parkut të lirisë. Ndoshta tek atëherë do ta besonin Jasharajt se gjaku i tyre nuk ka humbur.

Ua kemi borxh fëmijëve Memorialin modern të Jasharajve, një Notre-Dam Kosove e jo memoriale fabrikate të ish komunizmit.