“Jemi në prag të një konflikti të armatosur”, tha të mërkurën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Kuvendin e Serbisë, ajo shtoi edhe gënjeshtra për “torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë”. Kërkoi nga organizatat joqeveritare që ta thonin të njëjtën gënjeshtër, përcjell Gazeta Express.
Për këto deklarata pati reagime në Beograd. Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për politikë praktike, i tha gazetës serbe, Danas se këto janë përpjekje për ta mbajtur gjallë krizën sipas agjendës politike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Deklarata e saj është një shfaqje e dobët për votuesit e saj, ku ajo ua kujton edhe një herë se regjimi mbron interesat kombëtare, siç i shohin ata, dhe organizatat e të drejtave të njeriut janë tradhtarë. Nuk ka zgjidhje me Kosovën përderisa në Serbi është në pushtet një regjim autokratik, sepse ai gjithmonë do të përpiqet ta mbajë gjallë krizën, në mënyrë që herë pas here të krijojë konflikte dhe të mobilizojë më lehtë njerëz të frikësuar për agjendën e saj politike”, thotë Popoviq.
Ai tha se shoqëria civile në Beograd do të jetë “gjithmonë armike e regjimeve dhe forcave antidemokratike në vend”.
“Përkundrazi, shoqëria civile do të duhej të ofronte mbështetje shumë më të fortë se më parë për të gjitha pjesët e shoqërisë që po luftojnë për vendosjen e demokracisë në Serbi, kjo është një parakusht për hapjen e një dialogu të ndershëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, thotë Dragan Popoviq.