Java e çmendur e futbollit: Fadil Vokrri u ringjall në trupin e Milot Rashicës


Gazeta Express
16 Qershor 2019 13:13

Vetëm ata që nuk e njohin futbollin mendojnë që kjo është një lojë që zgjatë 90 minuta, e që ndonjëherë përfundon edhe me penallti. Por kushdo që mendon kështu e ka gabim. Është shumë më shumë se sa kaq. Futbolli është një bisedë në lift me një të panjohur, një debat i hapur me mysafirët në ditë të Bajramit, një festë në shkollat e Kosovës. Një shembull për t’u ndjekur nga fëmijët tanë. Është një lojë që nuk përfundon kurrë. As kur gjuhen penalltitë. Në fakt atëherë fillon.  

Shkruan: Berat Buzhala

Nëse nuk merr vesh në futboll? Mos hajde mysafir te unë….

Parimisht – këtë nuk do të duhej ta thosha kurrsesi – nuk është që çmendem pas mysafirëve. Nuk e kam fjalën për rrethin ultra të ngushtë të të afërmeve, me të cilët je rritur, ose me miqtë të cilët i kam zgjedhur vet, por për ata që janë edhe një hallkë përtej.

Për të mos i trubulluar ujërat më shumë se sa kaq nuk dua të tregohem shumë specifik, se cilët janë ata që dua të më vizitojnë, e cilët jo dhe cilët janë ata që dua t’i vizitoj e cilët jo.

Mirëpo le ta themi kështu: jam kundër vizitave ceremoniale nga persona gjysmë të njohur për të cilët nuk kam shumë informata. Dha anasjelltas.

Sido që të jetë, për të tilla gjëra nuk është që pyetesh shumë. Kur ato të ndodhin ti e ulë kokën bindësh, duke e implantuar një buzëqeshje artificiale dhe duke lëshuar pasthirrjeve të pafundme “eh, qishtu valla, zheg sot, ose ftoftë sot”. Aq e madhe është monotonia sa fillon të mendosh që është ndaluar ora, e bashkë me të edhe dielli. I zënë në kurthë filloj të kërkoj shtigje të bisedave të lira, përtej politikës, duke kërcyer nga një temë në një tjetër me shpresën që unë dhe mysafiri dikund do të puçemi. Të qëndrosh krejtësisht në heshtje nuk është opsion i mirë. Ajo orë, në rastin më katastrofal ato orë, duhet të mbushen disi.

Zakonisht, në këto raste ndihmën e parë e kërkoj te sporti. Shpresoj që mysafiri të këtë ndonjë interes në këtë terren. E në rast se nuk ka atëherë problemi është shumëdimensional. Fakti që dikujt nuk i pëlqen sporti nuk flet shumë veç për faktin që atij nuk i pëlqen sporti, por sepse ai – të më falni – është josocial. Në mes meje dhe tij ndërtohet një mur gjigant. Në atë moment shkojmë drejt asaj situatës së rëndë, gati mortore, kur e gjithë dhoma mbushet me heshtje. Secili secilit ia përcjell shikimin dhe lëvizjen. Secili secilit ia ndien frymëmarrjen. Jo, jo, kjo nuk krahasohet me heshtjen mortore. Kjo e fundit e ka kuptimin e vet. Palët nuk flasin sepse e dinë përse nuk flasin, e jo sepse nuk duan të flasin. Ka situata të tilla kur palët komunikojnë me sy me njëri-tjetrin, e dinë që nëse nuk do të ishte një ditë e vdekjes, nëse nuk do të ishte një mejt diku poshtë në dhomë, ose në korridor të shtëpisë, a në morg, ata nuk do të pushonin duke debatuar për ndeshjen e mbrëmshme, apo për atë të sotshmen që pritet të luhet. Do të debatonin një orë për një penallti që ishte, apo nuk ishte. Por ja që për shkak të ngjarjes ata duhet të qëndrojnë me kokën ulur duke i shikuar majet e gishtërinjve. Pra, nuk po flas për këtë heshtje me shkas, kur ne flasim duke heshtur. Fjalën e kam për këto heshtjet që do të dëshiroje shumë që të thoje diçka, por që interesat tuaja dhe të personit afër teje janë krejtësisht të kundërta. Në fakt nuk je i sigurt nëse personi afër teje ka fare interesa.

Vite më parë u përballa me një situatë të tillë fatkeqe. Një gjysmë i njohur, që nuk e kam asnjë të drejtë të them që nuk është djalë i mirë, erdhi për të qëndruar një copë herë edhe për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Fakti që ka ndodhur që disa vite e që mua ende nuk më është hequr nga mendja tregon se ajo “copë herë” ishte një copë herë e pafundme.

Subjekti ishte më i ri së unë në moshë. Ishte e diel pasdite. Sapo kishte filluar një lojë kampionale në mes të Arsenalit dhe një ekipi tjetër të Anglisë. “Hej more Zot ishalla merr vesh në futboll. O Zot ishalla thotë lëshoja zanin ta kqyrim lojën. Ishalla”.

“A të pëlqen futbolli”, i thash unë me njëqind tutë. Kisha dëshirë që t’ia lexoja mendjen dhe ta shikoja duke ardhur në drejtim të gojës mendimi pozitiv i tij.

“Jo valla kurrë asnjë lojë nuk e kqyri”, ishte përgjigja e tij e thënë me një të qeshur të pafajshme. Kjo për mua ishte thikë pas shpinës. A është e mundur? A m’u duk a tha që “kurrë në jetë nuk e kam shikuar asnjë ndeshje?”

Qysh asnjë ndeshje, thosha me veten. As ato të kampionateve botërore që edhe nana ime 70 vjeçare fillon e shprehë interesim?

“Veç e di që i përmendin do emna të lojtarëve”. E tha edhe këtë. Tash atë thikën që sapo ma nguli prapa shpinës tash filloi të ma përdridhte brenda trupit, derisa fytyrën e kishte veshur me një buzëqeshje naive.

Në atë moment ai person gjysmë i njohur, por që ishte mysafir, për mua ishte i vdekur. Tash përveç që po më bezdiste prezenca e tij, fillova edhe ta urrej. Me çfarë argëtohet? Çfarë bën gjatë vikendeve? Çfarë bën të martave dhe të mërkurave kur ka Ligë të Kampionëve? Kur ka Kampionat Botëror dhe Evropian çfarë bën? Thjesht vendosë të vdes për disa javë? Të hibernoj? Ta prekë sustën pauzë?

Kuptohet, siç edhe thotë klisheja, edhe ora më e rëndë i ka vetëm 60 minuta. Sigurisht që një minut duke e mbajtur gishtin mbi një qiri të ndezur dhe një minut në “El Classico” nuk rrjedh njësoj shpejt, ani pse thjesht janë 60 sekonde. Prandaj, në këto rrethana, përfundoi edhe kjo vizitë. Kur ndodhin këso aksidentesh unë filloj e bindi veten që t’i shmangëm sa më shumë ngjarjeve të tilla, e posaçërisht i shmangëm shoqërimit me persona të tillë. Nuk po them që ata që nuk shikojnë futboll nuk janë njerëz të mirë – edhe pse i kam dyshimet e mia – por them me bindje të plotë që ata që nuk marrin vesh në sport janë njerëz shumë më të mërzitshëm se sa ata që marrin.

Java që po perëndon ngadalë, në këtë drejtim, ishte java më spektakolare sportive në memorien tonë si shoqëri. Nuk dëshiroj që ta zbehë aspak adrenalinën që na ka dhuruar Prishtina në futboll në vitet e 80’ta, ose sa për atë punë edhe në boks ose në hendboll në atë kohë, mirëpo kjo çfarë ka ndodhur me ekipin e Kosovës në futboll tash kohëve të fundit ishte krejt diçka tjetër. Nuk ishte më Crvena Zvezda ose Hajduku i Splitit, tash po i masim forcat përtej këtyre trojeve. Një nivel i kënaqësisë, mburrjes dhe optimizmit që nuk e kemi njohur në këto 20 vjet çlirim. Një gjendje të tillë mund ta dhurojë vetëm sporti. Nuk e di, por ka mundësi që edhe ai i gjysëmnjohuri i im gjatë kësaj jave është shfrenuar. Nëse jo, atëherë le të shkojë në të samës.

Kosova e ka ROSU’në e fushave të gjelbra

Si është e mundur që dikush të qëndrojë indiferent kur Milot Rashica, me emrin e Kosovës në shpinën e tij, rrëshqet sikur një ngjalë nëpër terren? Kur ai i jep topit 10 metra para vetes, kur kundërshtari i tij e sheh atë por nuk e ka as shpejtësinë e as teknikën për ta ndalur. Dhe gjithë këtë mrekulli ai e bën duke mos e hequr një lloj të buzëqeshjes nga fytyra e tij. Tek numri 7 i Rashicës ne e kemi gjetur numrin 9 të Vokrrit. Sporti ka nevojë për ikona, ka nevojë për legjenda dhe tashmë ne e kemi një të tillë, ai është Miloti. Ky emër dhe ky numër tash do të shtrihet horizontalisht në çdo familje të Kosovës. Ai do të jetë modeli që do ta ndjekin dhe do ta duan fëmijët tanë. Figura më e dashur për ta realizuar një selfie. Emri që do të thërritet në stadium. Fotografia që do të shpërndahet në FB.

Anash kësaj, Rashica, në një moshë kaq të re, ka kapacitet ta pranojë topin, t’i thyejë dy mesfushorë të ekipit kundërshtar mu në vend, kurse mbrojtësin e krahut ta lë për të vdekur. Gjatë gjithë kësaj kohe Miloti nuk e heq shikimin prej krahut të tij të djathtë për të parë se ku saktësisht ndodhet Muriqi. Ah, pastaj ky. Unë përmes këtij shkrimi dëshiroj t’i kërkoj falje pafundësisht për dyshimet që kisha në talentin e tij. A është e mundur që brenda një viti një lojtar të zhvillohet kaq shumë dhe kaq shpejt? Një lojtar që nga një qendërsulmues i ngurtë dhe jokreativ befasisht, atëherë kur i duhet më së shumti vendit të transformohet në një Zlatan Ibrahimovic, që përveç që zotëron fuqi sa për t’i tërhequr zvarrë dy tre lojtarë kundërshtarë ai u begatua edhe me teknikë të pashoq. Si është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër koka e tij të bëhet aq vrastare? Çdo pasim në drejtim të tij, kur ai është në zonën e rreptësisë, potencialisht është një gol.

Ose, meqë ra fjala të spektakli, balerina e mesfushës së Kosovës është Besar Halimi. Se si topi ka rënë në dashuri me Besarin kjo është e paprecedent. Është e pabesueshme kur e sheh një djalosh të kategorisë pendel duke manovruar  në atë formë nëpër terren. Mënyra se si ai kthehet me topin në këmbë nga njëra anë në anën tjetër, teknikë kjo që e posedojnë vetëm mjeshtërit me elitar të këtij sporti, ata që janë të prekur nga dora gjenialiteti. U-Turn të tij, duke e tërhequr topin me pjesën e jashtme të këpucës, për ta zhvendosur lojën komplet në krahun tjetër, kanë qenë kryevepra të Xavit, Iniestes dhe titanëve të këtyre niveleve. Mirëpo Besari pjesë të tilla të shfaqjeve po i realizon i veshur me fanellën e Kosovës. Ai ato i realizon me aq lehtësi, bukuri dhe thjeshtësi sa ne na duken normale. Jo, ato nuk janë normale, mirëpo vetëm kur kryhen nga ai duken të tilla. Shumëçka ka jonormale në ekipin tonë. Jonormale është edhe potenca e Arber Zenelit. Në fakt Arbri nuk është thjesht potent. Karakterin e tij në fushë asgjë nuk e ilustron më mirë se sa shikimi i tij. Ai është lojtari më brutal që e kam parë kohëve të fundit. Arbri është mizor para portës kundërshtare. Fuqia e goditjeve të tij, e në të njëjtën kohë trajektorja që e marrin topat e tij, gati janë në kundërshtim me ligjet e fizikës. Nuk e di cili futbollist në pesë ligat më të forta në botë mund ta kthejë topin në një efe të tillë, duke e pasur në të njëjtën kohë një shpejtësi të madhe. Kurse mënyra se si ai e shqyen repartin defansiv është rrëfim në vete. Zeneli e ka fuqinë e një qendërsulmuesi, kurse shpejtësinë, goditjen dhe precizitetin e një sulmuesi anësor. Lëndimi i tij, për ekipin tonë, ishte një humbje e madhe, por edhe një motivim i jashtëzakonshëm. E çfarë është edhe më e rëndësishme të thuhet është që ai nuk u lëndua duke luftuar në fushëbetejën e tij, por duke i ardhur në ndihmë repartevë të tjera të ekipit tonë, atje ku kishte më së shumti nevojë. Një armë e tillë nukleare, siç është Zeneli, nuk e zbeh assesi, aspak, në asnjë moment, talentin e Edon Zhegrovës. Sa për ilustrim, vitin e kaluar kur Kosova e zhvilloi një ndeshje miqësore me Shqipërinë ne Zurich e kam bërë një fotografi me Edonin. Një të tillë e kam bërë edhe sivjet. Kur i krahasova e pashë që ose unë jam zvogëluar për disa centimetra, ose Zhegrova është rritur. Gjasat janë më të mëdha që ka ndodhur kjo e dyta. Pra, ai po rritet edhe më tutje në të gjitha kuptimet e fjalës. I lindur dhe i rritur në Kosovë, në Kosovë, sikurse Rashica, Zhegrova i mëshoi topit për herë të parë. Kalimi nga një ekip në një tjetër, nga një ambient në një tjetër, e kanë një faturë. Vëmendja e jashtëzakonshme, pritjet e çmendura për të, gjithashtu janë vështirë të përballueshme. Mirëpo, duhesh të jesh i verbër, duhesh të kesh njohuri zero për futbollin, për të mos e vërejtur pazakonshmërinë e Edonit. Nëse ai do t’i mbijetojë arsyeve të përmendura më lartë, nëse ai do të akomodohet si duhet në Bazel, atëherë kritikët e tij pas disa vitesh do të shkojnë nëpër profilet e tyre në FB për t’i shlyer të gjitha postimet që i kanë bërë për të. Askush në ekipin tonë nuk ka pasim më të saktë se sa Zhegrova. Askush më mirë se sa ai nuk di ta bartë lojën nga një krah në krahun tjetër. Atë që di ta bëjë Zeneli më këmbën e djathtë Zhegrova di ta bëjë me të majtën. Me Muriqin qendërsulmues, me Rashicën pas tij dhe me Zhegrovën dhe Zenelin në të dyja krahët Kosova do të mund t’i thoshte çdo ekipi të botës byjrum. Nëse Zhegrova dhe Rashica janë produkt i talentit të lindur, nëse ata janë produkt i punës së tyre dhe askujt tjetër, një tjetër yll në ekipin e Kosovës e ka pasur një tjetër fat. Zhegrova, Rashica dhe të tjerët karrierën e tyre e nisën nga poshtë lart, derisa Celina ende pa e mbushur moshën madhore e kishte fatin që ta godiste topin në ligën më të madhe në botë, atë të Anglisë. Dhe jo duke qenë lojtar i Cardiff’it apo Fulham’it. Ai e nisi karrierën e tij atje ku çdo lojtar do të kishte dëshirë që karriera e tij të kulmonte, në Manchester City. Ne ishim me fat që një djalosh të asaj akademie ta përfitonim. Se Celina ka qenë pjesë e diçkaje të madhe ajo vërehet edhe sot e kësaj dite. Te Celina e sheh akademinë, e sheh një nxënës që e di mësimin, që e kupton mësimin, që nuk bën gabime amatoreske, sepse nuk guxon t’i bëjë ato pas gjithë atyre orëve të kaluara në City. Celina është vazhdimisht në vendin e duhur. Nuk bën avantura, nuk niset prej parimit “le të del ku të del”. Jo, ai e matë fushën me milimetra.

Nuk e kam asnjë dilemë që në këto nivele të teknikë janë edhe Kololli dhe Hadergjonaj, Kryeziu dhe Berisha të dëmtuar, Rrahmani dhe Aliu, Voca, Rashani Rashka dhe Aro Murici.

Figura mitike e Bllazhevicit u kthye tek ne përmes Bernard Challandesit

Nuk e harrova Bernard Challandesin. Ky është kompozitori autoritativ që po arrinë t’i mbajë nën kontroll sedrat, impulset, pasionin që e kanë kjo armatë 20 vjetarësh. Është emblematike mënyra e komunikimit të tij me këta djem. Challandes është një mësues që në dorë e ka një ëmbëlsirë, por për çdo rast në tjetrën dorë e ka edhe një thupër. Ai i don djemtë aq shumë, ka aq shumë respekt për ta, e çmon aq shumë talentin e tyre, e sheh qartë të ardhmen e tyre, sa nuk ia lejon vetës që t’ua plotësojë të gjitha dëshirat, të cilat më vonë do t’u hakmerreshin atyre më së shumti.

Challandes, fytyra e tij e ngrysur, setra pak më e madhe se sa trupi, këmisha pak e dalur prej pantollave, flokët e shprishura, ta rikujton të zotin e shtëpisë në një organizim patriarkal. Në një moment, në ndeshjen me Malin e Zi, kur Zeneli lëndohet, kurse Zhegrova për arsye të ndryshme nuk nxitohet t’i lidhë këpucët e tij, Challandes del nga kontrolli. Ai duket që nuk do të dëshironte asgjë më shumë se sa t’ia jepte Edonit një shuplakë pas qafës, ose një thupër vegëve. Të gjithë ne do t’i thoshim njëzëri “të lumtë dora”.

Zvicerani i takon shkollës së vjetër. Ai skemat nuk i ndërton as me Ipad, e as me teknologji të sofistikuar, sepse nuk duket i orëve të fundit, mirëpo ai e di shumë qartë se çka është futbolli. E mbi të gjitha ai duket që e njeh shumë qartë karakterin e lojtarëve me të cilët ai ka punë. Duket sikur figura e dashur dhe e respektuar e sportit kosovar të viteve të 80’ta, Miroslav Ciro Blazhevic, është rikthyer tek ne në trupin e një zvicerani. Nuk do të jetë e largët dita kur Challandesin do ta shohim me plis të bardhë në mesin e tifozëve. Si për ta bërë që çdo gjë të duket më e bukur, më reale, më e jona, aty afër tij qëndron edhe Muharrem Sahiti. Legjenda e fundit e historisë tonë të këputur në gjysmë. Pjesë e ADN’së dhe krenarisë tonë.

Ekipi Kombëtar i Kosovës, bashkë me ata që janë në bankën rezervë, janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Këta djem janë vizitkarta e jonë për dekadën e ardhshme. Deri më tash kjo Federatë e Futbollit është duke e menaxhuar famën dhe suksesin në mënyrën e duhur. Duket që trajneri po mbrohet me fanatizëm nga kreu i federatës, Agim Ademi. Duket që nuk ka lojtarë që në fushë po futën për shkak të lidhjeve të shkurta ose përse janë të preferuar të dikujt që nuk ka lidhje me sport. Duket gjithashtu që edhe bastorët po mbahen larg.

Me fjalë të tjera, kushdo që është i kualifikuar për të diskutuar për tema të tilla do të ishte mysafir jashtëzakonisht i dashur në shtëpinë time. Me atë do të kisha pasur dëshirë që t’i kishim fëmijët në një klasë, që kur të shkojmë në mbledhje të prindërve të mos flasim për politikë por për sport. Do të kisha pranuar që të lëshohesha në bisedë të gjatë dhe pasionante nëse do të ishte i ulur në karrigen afër gjatë ndonjë fluturimi dikund jashtë Kosovës. Temat e tjera janë të sikletshme dhe nuk mund të zgjasin. Në sport dhe në futboll të gjithë jemi të barabartë. Të gjithë e shohim të njëjtën lojë, e shohim njëjtë, jemi të barabartë. Dikush e analizon nga një kënd, dikush prej një tjetri. Këtu askush nuk mund të thotë “le se ti nuk i din do gjana”. Në sport nuk ka misteriozitet. Të dytë, ose të tretë, ose të gjithë ne, e kemi parë se si erdhi deri te një penallti. Dikush pajtohet me të e dikush jo, por aty nuk ka fakte alternative. Mrekullia e ngritjes së zëri në debat ka kuptim veç në sport. Veç në këtë fushë jam i gatshëm të debatojë barabarësisht me djalin e vëllait që është 7 vjeç dhe me babën që është 70. Të tretë ulemi para televizorit, si tre shokë. Njëri shanë më shumë tjetri më pak. Njërit i duket Zhegrova i jashtëzakonshëm tjetrit i duket Zeneli, kurse të dytë ose të tretë pajtohemi për Rashicën, sikurse nuk pajtohemi ndoshta me lojën e tepëruar me këmbë të Aro Muricit. Është cështje shijesh. Mirëpo ne të gjithë pajtohemi në një gjë: zemra na rrehë ndryshe, na rreh më shpejt, na rreh më mirë, kur i shohim ato ngjyra në fushë, kur i shohim djemtë që i veshin ato. Zemra na rrehë më ndryshe kur fillon i gjithë stadiumi ta këndojë Besa Besë. Janë këto momente që ne e shohim vetën të gjallë. Janë këto momente që ne e shohim historinë tonë në kohë reale. E shohim okupimin, luftën, lirinë dhe pavarësinë. Fillojmë e ju flasim fëmijëve tanë se sa e vështirë ka qenë rruga deri këtu. E kujtojmë Vokrrin tonë, i cili tashmë ka zënë vendin meritor në mesin e figurave më të mëdha të këtij populli. Njeriun që me buzëqeshjen e tij, me optimizimin e tij, me gjuhën e tij të varfër por kuptimplotë, na solli deri këtu.

Pashmangshëm, disa ditë më vonë, kur jemi liruar nga entuziazmi dhe tifozllëku, kthehemi në një realitet të hidhur. Fillojmë e i themi njëri tjetrit se “nëse Challandes do të ishte udhëheqës i shtetit tonë e gjithë Kosova do të ishte po kaq e mirë sa edhe kombëtarja e jonë”. Jemi të bindur që në mesin tonë ka talentë, ka pasion dhe dëshirë, por që fatkeqësisht nuk po arrijmë të koordinohemi. Po na mungojnë disa pjesëza për ta kompletuar tabllon. Mirëpo disa ditë entuziazëm, sikur që ishin këto të fundit, na japin forcë dhe shpresë që një ditë edhe fushat tjera të Republikës së Kosovës do të janë po kaq të ndritura sa edhe kjo e gjelbra.  

Te fundit


Kthehu lart