Analisti serb dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Dushan Janjiq, thotë se Miroslav Lajçak mund të ketë sukses në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nëse do të punojë ndryshe nga ajo se çfarë kanë bërë Catherine Ashton dhe Federica Mogherini.
Në një prononcim për Gazetën Express, Janjiq ka thënë se nëse Lajçak e do suksesin, duhet të konsultohet jo vetëm me ata që marrin vendime, por edhe me qytetarët, shoqërinë civile e komunitetin e bizneseve.
“Lajcak duhet të punojë plotësisht ndryshe nga Catherine Ashton dhe Mogherini. Lajcak nëse do të ndjekë eksperiencën e tij në Beograd kur u largua Millosheviqi nga pushteti, dhe më pas eksperiencën e tij në Mal të Zi dhe Bosnje, ai e ka shansin. Nëse ai vërtet do të konsultohet me njerëzit dhe jo vetëm me ata që marrin vendime, por edhe me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit, por edhe duke u mbështetur në raporte të mira me Washingtonin dhe Moskën, ai mund të ketë sukses në dialog”, ka thënë Janjiq për Express.
Megjithatë, ai thotë se s’mund të garantohet për asnjërën palë që do të ketë sukses në rinisjen e dialogut Prishtinë – Beograd.
“S’ka ndonjë garanci që Lajçak do të ketë sukses në rinisjen e dialogut. S’ka garanci për asnjë prej aktorëve të tjerë, përfshirë Washingtonin, Brukselin dhe Kosovën e Serbinë”, ka shtuar tutje analisti serb.
Sa i përket problematikës së shumëdiskutuar në Kosovë rreth prejardhjes së Lajçak, Janjiq mendon se një gjë e tillë nuk është problematike. Ai thotë se pavarësisht faktit që Sllovakia nuk e njeh Kosovën, ka hapur një zyrë në Prishtinë dhe ka një raport të afërt me Kosovën.
Ndërkohë, për Miroslav Lajçak shpreson se do të jetë neutral në ndërmjetësimin e dialogut Prishtinë – Beograd.
“Nga pikëpamja ime nuk është problem që Sllovakia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Sllovakia kurrë s’ka dalë jashtë politikës së jashtme të Brukselit. Pavarësisht se nuk e njeh Kosovën, Sllovakia vendosi që të hapë zyrën e saj në Prishtinë, që do të thotë se Sllovakia ka qenë gjithmonë afër të dy palëve. Shpresoj që ai (Lajçak) do të provojë të jetë neutral, dhe do të provojë ta shfrytëzojë pozicionin e Sllovakisë si anëtare e BE-së që është i afërt me Washingtonin”, ka theksuar Janjiq.
Ai në fund thotë se vendimi për emërimin e Lajçak si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun është marrë dhe se tashmë duhet të pritet se çfarë do të bëjë.
“Vendimi është marrë dhe tash duhet ta shohim se çfarë ai mund të bëjë”, ka përfunduar Janjiq për Express.
Kryediplomati sllovak, Miroslav Lajcak, është emëruar nga BE-ja si emisar për dialogun Kosovë – Serbi. Fillimisht atij i është dhënë një mandat njëvjeçar në pozitën e Përfaqësuesit Special. Vetë Lajçak ka thënë se është i nderuar që i është besuar një pozitë e tillë, ndërkohë ka potencuar se do të bashkëpunojë ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe gjithashtu Washingtonin. /GazetaExpress/