Izraeli ndihmon financiarisht Palestinën, ia kthen mbi 1 miliard dollarë taksa - Gazeta Express
string(77) "izraeli-ndihmon-financiarisht-palestinen-ia-kthen-mbi-1-miliard-dollare-taksa"

Lajme

Gazeta Express

02/12/2020 12:43

Izraeli ndihmon financiarisht Palestinën, ia kthen mbi 1 miliard dollarë taksa

Lajme

Gazeta Express

02/12/2020 12:43

Izraeli të mërkurën i ka kthyer Autoritetit Palestinez mbi 1 miliard dollarë taksa në shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve. Transferimin e parave e kanë konfirmuar të dyja palët.

Taksat në vlerë prej 3.77 miliardë shekelëve (valutë izraelite), që kanë vlerën e rreth 1 miliard e 140 milionë dollarëve amerikanë, paraqesin më shumë se gjysmën e buxhetit të Autoritetit Palestinez, ekonomia e të cilit është goditur rëndë nga pandemia.

Lexo Edhe:

Ky është transferimi i parë i taksave që nga qershori, kur palestinezët e kishin refuzuar një gjë të tillë për shkak të planeve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për aneksimin e disa pjesëve të Bregut të pushtuar Perëndimor, të cilat momentalisht janë pezulluar.

Palestinezët i refuzuan të hollat e Izraelit disa herë edhe vitin e kaluar pasi qeveria izraelite e zvogëloi shumën në shenjë hakmarrjeje për dhurimin e fondeve familjeve të militantëve të burgosur apo të vrarë. Zakonisht, shuma e taksave që Izraeli ia kthen Autoritetit Palestinez është rreth 190 milionë dollarë në muaj.

Autoriteti Palestinez nuk ka pasur mundësi që t’ua japë pagat e plota 130.000 mijë punëtorëve gjatë muajve të fundit. Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, këtë javë tha se do të dhurohen pagat e plota posa të merren të hollat nga taksat e kthyera.

Ndryshe, Izraeli i pezulloi planet për aneksimin e territoreve të reja palestineze në gusht si pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Raportet mes Izraelit dhe Palestinës kanë filluar të shfaqin përmirësime në kohën e fundit. Muajin e kaluar, palestinezët thanë se do ta rifillojnë bashkëpunimin me Izraelin në fushën civile dhe në atë të sigurisë pasi një gjë të tillë e kishin ndërprerë për shkak të planit për aneksim.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga bojkotimi politik 3-vjeçar i Shtëpisë së Bardhë. Besohet se ky ndryshim i qëndrimit ka ardhur si rezultat i fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.