Izraeli kryen sulme të reja me raketa në Siri, thotë se i ka goditur caqet iraniane


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 10:10

Izraeli ka njoftuar se i ka goditur me raketa dhjetëra caqe në Siri, të cilat i përkisnin qeverisë siriane dhe forcave iraniane.

Ushtria e Izraelit tha se sulmet e gjera ishin kundërpërgjigje ndaj raketave të hedhura drejt izraelit nga një njësit iranian me bazë në Siri.

Në anën tjetër, autoritetet siriane njoftuan se dy civilë u vranë nga këto sulme dhe sistemi i mbrojtjes ajrore i ka shkatërruar në ajër shumicën e raketave që ishin hedhur drejt Damaskut. Në disa raportime të tjera thuhet se numri i viktimave është më i madh.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani të Madhe, tha se në këto sulme janë vrarë 11 luftëtarë.

Të martën në mëngjes, ushtria izraelite tha se i ka parandaluar nga arritja në tokë katër raketa të hedhura nga Siria drejt pjesës veriore të Izraelit.

Besohet se Izraeli i ka kryer qindra sulme me raketa në Siri që nga fillimi i luftës civile në këtë shtet në vitin 2011 me qëllim të pengimit të shtrirjes së ndikimit të Iranit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri tha se sulmet ajrore e kishin prejardhjen nga territoret libaneze dhe palestineze, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart