“Izoloni shtëpitë”, “ 19 gradë temp.”, alternativat e Qeverisë në vend të zgjidhjes konkrete për rrymën - Gazeta Express
string(95) "izoloni-shtepite-19-grade-temp-alternativat-e-qeverise-ne-vend-te-zgjidhjes-konkrete-per-rrymen"

Lajme

Gazeta Express

30/09/2022 14:55

“Izoloni shtëpitë”, “ 19 gradë temp.”, alternativat e Qeverisë në vend të zgjidhjes konkrete për rrymën

Lajme

Gazeta Express

30/09/2022 14:55

Dimri që po vjen pritet të jetë një prej më të vështirëve që ka kaluar Kosova, shkaku i krizës energjetike. Ndërkohë Qeveria e Kosovës s’ka rreshtur së dhëni këshilla për qytetarët se si të kursejnë energjinë elektrike në vend të ndonjë zgjidhje e cila do të zgjidhte çështjen e energjisë elektrike dhe s’do t’i linte qytetarët në panik për atë se çfarë do të ngjajë ditëve të ftohta të dimrit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është në qendër të vëmendjes për këtë. Ajo së fundi është shfaqur me një këshillë për kosovarët që t’i izolojnë shtëpitë para se të vijë dimri i fortë.

Lexo Edhe:

Ajo këtë e ka thënë duke kërkuar edhe ndërrimin e mënyrës së ngrohjes, meqë rryma s’do të jetë një alternativë përgjatë këtij dimri.  

“Izoloni shtëpitë përpara se të bëhet ftohtë”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Një deklaratë e tillë ka ngjallur mjaft reagime në rrjete sociale, me qytetarë që kanë ironizuar me pyetjet se “cfarë trashësie duhet të jetë materiali për izolim”

Por kjo s’është këshillat e vetme që kanë ardhur nga Qeveria që drejton Albin Kurti. Në një vendim të mëhershëm në të cilin kishin prezantuar disa masa për kursimin e energjisë elektrike, ka qenë edhe një për fiksimin e temperaturës së dhomës në 19 gradë celcius, shkruan Gazeta Express.

Kërkesa për temperaturën 19 gradë ishte shoqëruar edhe me një numër masash tjera brenda institucioneve publike me qëllim të kursimit të energjisë elektrike.

Ndërkohë një këshillë tjetër që ka bërë bujë të madhe në opinion publik ka qenë deklarata e zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili ka rekomanduar që edhe në Kosovë të lahen nga dy persona, praktikë të cilën po e ndjekin shtetet tjera.

Ministrja Rizvanolli kishte zënë faqet e mediave edhe në prag të dimrit në vitin 2021 kur kishte dhënë udhëzime të nxirreshin “joystickat” nga rryma, meqë sipas saj ata shpenzojnë energji elektrike.

”Konsolat e videolojërave shpenzojnë relativisht shumë, më shumë sesa që kishim menduar. Më saktësisht PlayStation 4, 8.5 watt në Standby, Xbox One 15.7 watt, Nintendo Switch 7.5 deri në 18 wat gjatë akumulimit”, kishte thënë Rizvanolli./GazetaExpress/