Ivanov nuk i nënshkroi ligjet për Antidiskriminim dhe për Agjencinë Teknike-Operative


Gazeta Express
26 Mars 2019 15:58

Presidenti Gjorge Ivanov nuk i nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve për mbrojtje nga diskriminimi dhe për Agjencinë Tekniko Operative dhe Komunikime Elektronike dhe i ktheu në votim të sërishëm në Kuvend.

Ivanov, sipas elaborimit që e ka dorëzuar në Kuvend, dekretet nuk i ka nënshkruar pasi në zbatimin e funksionit gjithmonë ka vepruar në pajtim me deklaratën e dhënë solemne se do ta mbrojë Kushtetutën dhe siç thotë, do t’i mbrojë interesat e Republikës së Maqedonisë.

“Me mosnënshkrimin e Dekreteve për ligjet reformuese, në mesin e të cilave Ligjin për Agjenci Teknike Operative dhe për Komunikime Elektronike, Gjorge Ivanov u konfirmua si frenues i reformave dhe kundërshtar i profesionalizimit të shërbimeve të sigurisë”, deklaroi sot Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së dhe koalicionit.

Përveç këtyre ligjeve, sip theksoi Shahpaska, presidenti Ivanov refuzon ta nënshkruaj edhe Dekretin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Me këtë, sipas Shahpaskas, Ivanov konfirmohet si promovues i diskriminimit dhe kundërshtar i Komisionit Shtetëror profesionist për mbrojtje nga diskriminimi.

“Siç e filloi ashtu edhe është duke e përfunduar mandatin. Ivanov është kundër konceptit për shoqëri korrekte e cila mbron nga çdo formë e diskriminimit. Edhe gjatë ditëve të fundit të mandatit, Ivanov mbetet konsekuent në veprimin e tij në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe shtetit”, thotë Shahpaska.

Këto ligje nesër përsëri duhet të ndodhen në seancë kuvendore, pas çka pasi të miratohen përsëri do të publikohen në Gazetën zyrtare.

Presidenti Ivanov nuk i nënshkruan ligjet që nga 11 janari, kur në Kuvend u miratuan ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Te fundit


Kthehu lart