“Ishte xheloz, na turpëroi zonën”, flet daja i 37- vjeçarit që vrau gruan me thikë


Gazeta Express
19 Korrik 2019 18:23

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit pasditen e sotme.

Adriatik Kuka nga Korça vret gruan me thikë në zemër në zonën e Spitallës për shkaqe xhelozie të cilat kanë nisur pasi kjo e fundit ka nisur punë.

Ajo është dërguar në spital nga vëllai i saj, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve ajo nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Mësohet se viktima është Hazbije Kuka 36 vjeçe. Ndërsa burri i saj është larguar nga banesa me makinë, menjëherë pas ngjarjes së rëndë.

Policia po punon për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Pas ngjarjes së rëndë e cila tronditi Durrësin flet daja i autorit që vrau gruan me thikë në zemër. Ai zbulon se çifti kishte konflikte për xhelozi.

Daja i autorit thotë se ata nuk vuanin nga probleme ekonomike.

“E kam nip, djalë motre, na turpëroi zonën. Që kur ka hyrë në punë, bëheshe xheloz, por nëse bëhesh xheloz ndaje. Kishin një djalë. Ishte shumë çupë e mirë. Ai ishte në punë, punonte shofer i një drejtori të OSHEE nuk e di në Durrës në Tiranë. Nuk kishte probleme ekonomike. Një djalë kanë nja 8 vjeç. Korça nuk e ka në traditë të bëjë krime të tilla”, thotë daja i autorit për Report.

Te fundit


Kthehu lart