Ish-ushtari i UÇK’së dhe UÇPMB’së nuk po mund të pajiset me dokumente në Kosovë


load
Gazeta Express
13 Tetor 2019 23:36

Sadik Aliji ka plot nëntë vjet që jeton në Veleknicë të Gjilanit. Por, 54 vjeçari nga Lugina e Preshevës nuk ka asnjë dokument identifikues të vlefshëm nga shteti i Republikës së Kosovës.

Të vetmin dokument që ia kanë lëshuar institucionet kosovare, thotë të jetë një leje qëndrimi me afat vetëm njëvjeçar, e cila i ka skaduar në vitin 2016, raporton KTV.

Ai ankohet se në mungesë të një dokumenti të vlefshëm nuk po mund të kryej asnjë shërbim, derisa thotë kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh as nga komuna e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Aliji thotë se kishte qenë pjesëtar i UÇPMB-së në Luginë dhe pjesë e UÇK-së në Kosovë. Gjatë vitit 2008, ai kishte ikur nga Serbia për në Austri, kur institucionet gjyqësore serbe e kishin dënuar në mungesë me 8 vjet burgim me akuzën për krime lufte.

Nga frika se atje do të arrestohej, Aliji ishte zhvendosur në Zvicër, nga ku është kthyer në Kosovë përmes MPB-së gjatë 2010-s.

Ai ankohet se tash e një vit nuk po mund ta marrë as pensionin e veteranit.

Zyrtarë të Zyrës për Luginën e Preshevës në Komunën e Gjilanit, thonë se janë mbi 600 raste. Sipas kësaj zyre, qytetarët po hasin pengesa në MPB.

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se e mirëpret Skender Alijin, për ta diskutuar mundësinë e zgjidhjes së problemit të tij.

Zeka ka thënë se shumë qytetarë nuk paraqesin dokumente valide për të marrë këtë leje.

Një udhëzim administrativ i nxjerrë së fundmi nga MPB-ja, mundëson lëshimin e lejeqëndrimeve 5-vjeçare.

Ndërsa pas kësaj periudhe, qytetarëve nga Lugina e Preshevës u mundësohet aplikimi për marrjen e shtetësisë së Kosovës.

Te fundit


Kthehu lart