Ish-ushtari i UÇK-së i lodhur me Kosovën: Nuk aplikoj më për vend pune, në mbi 100 raste as në intervistë s’më kanë ftuar


Gazeta Express
19 Mars 2019 17:45

Shumë familjarë të politikanëve të cilët janë aktualisht në pushtet janë rehatuar në pozita të ndryshme të punës nëpër institucione publike. Posta dhe Telekomi i Kosovës ka qenë institucioni që është vërshuar nga punësimet familjare, edhe përkundër gjendjes së rënduar të këtij institucioni.

Por një vend të punës nuk po arrin ta gjej ish-pjesëtari i UÇK-së, Bekim Morina, i cili thotë se tashmë është dorëzuar dhe se nuk konkurron më në asnjë konkurs për ndonjë vend pune në Kosovë.

Kjo pasi që në më shumë 100 aplikime që ka bërë, ai as nuk është ftuar fare në intervistë.

Në një rrëfim për T7, Morina ka treguar që është baba i katër fëmijëve, dhe ka treguar për gjithë vështirësitë që ka kaluar në kërkim të një vendi të punës që nga viti 2013.

“Jam prind i katër fëmijëve, vajza ime tash i bën 22 vjet. E po i them pse nuk po konkurron me ndonjë vend të punës. Ajo qeshi, e po më thotë: kur s’po mundesh ti që ke qenë pjesë e luftës… Unë i kam përfunduar disa universitete dhe kam punuar edhe për amerikanët. Por unë nuk kam kërkuar favor nga askush. Kam qenë njësi speciale në Shtab të Përgjithshëm, në Brigadën 121 njësia speciale “Arbëri””, ka treguar ai.

Morina ka treguar se në vitin 2013 kishte punuar si sigurim tek Bechtel Enka, por thotë se në stinën e dimrit e kishin larguar dhe nuk e kishin ftuar më që të kthehej në punë, pasi siç thotë ai nuk ka qenë i përshtatshëm për ta.

 Ai ka treguar edhe për një përvojë që ka pasur kur kishte konkurruar për punësim në Administratën Tatimore të Kosovës. Një zyrtare që kishte qenë duke punuar aty, i kishte thënë se ti nuk paske nevojë për rrogë, pasi qenke veteran.

“Në ATK një zonjë me tha se ti qenke veteran dhe se nuk paske nevojë për rrogë. Në fakt aty ishin 30 pozita”, ka thënë ai.

Hera e fundit kur ai kishte aplikuar, ka qenë një konkurs në BQK, por thotë se tashmë është lodhur dhe se do të kërkojë punë jashtë Kosove.

“Por qetash jam lodhë. Lypi tjetër kah. Unë për veti nuk do të aplikojë kërkun në Kosovë. E kam provuar edhe privat , po jam lodhë. Për sigurim tek dera unë sot gjej. Po kemi kry shkollë more burrë. Herën e parafundit kam apliku në Aeroport, kam provu edhe në FSK, MPJ, ATK,  Në Komunën e Prishtinës kam provu, po me thojshin shko në Drenicë se ke luftu atje”, ka rrëfyer ai.

Ai tregon se ka mbetur deri tani pa punë, pasi që nuk ia zgjat qafën askujt dhe nuk i kërkon askujt favore.

Ndërsa Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje i cili po ashtu ishte ftuar në FRONTAL të T7,  ka thënë se  nuk ka çfarë të shtojë pas rrëfimit./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart