Ish-trajneri i Real Madridit, Solari, merr ftesë nga Vllaznia


Gazeta Express
10 Tetor 2019 14:41

Santiago Solari, ish-lojtari dhe ish-trajneri i Real Madrid së shpejti mund të vijë në Shkodër. Ftesën për diçka të tillë ia ka bërë tekniku i Vllaznisë Mirsad Jonuz.

Palët janë takuar së bashku në një seminar të zhvilluar në Doha të Qatarit, ku kanë qenë të pranishëm edhe shumë personalitete të tjera të sportit, si trajnerë, apo edhe ish-futbollistë, raportohet në faqen e klubit të Vllaznisë.

Tashmë, tekniku Mirsad Jonuz është totalisht i fokusuar tek skuadra e tij dhe do të fillojë përgatitjet për ndeshjen me Partizanin në “Loro Boriçi”, që është e vlefshme për javën e 8-të të Superiores.

Për momentin shkodranët renditen në vendin e parë të kampionatit me 12 pikë, po aq sa Teuta, Bylis dhe Skënderbeu.

Postimi i klubit të Vllaznisë:

“Trajneri Mirsad Jonuz nga sot është vënë sërish në krye të ekipit duke vijuar me të përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë fundjavën tjetër me Partizanin në Shkodër. Tekniku kuqeblu siç kemi bërë të ditur ka marrë pjesë në një seminar shumë të rëndësishëm që është zhvilluar në Doha të Katarit ku kanë qenë të pranishëm edhe emra shumë të njohur specialistësh e trajnerësh nga e mbarë bota dhe po ashtu edhe përfaqësues të Federatave të ndryshme. Jonuz ka qenë i ftuar nga drejtues të Akademisë “Aspire” që e ka organizuar një seminar të tillë dhe gjatë tre ditëve të zhvillimit të tij, ai ka patur shumë kontakte edhe me personalitete të ndryshme të futbollit botëror. Tekniku ka qenë i autorizuar nga Klubi i Futbollit Vllaznia për të biseduar dhe gjetur ura bashkëpunimi me klube të ndryshme. Nga sa ka bërë të ditur vetë ai pas kthimit në Shkodër, ka patur biseda edhe me personalitete të tilla të futbollit si Samuel Eto dhe Santiago Solari të cilët madje i ka ftuar që në një të ardhme të afërt të jenë në Shkodër dhe ftesa është mirëpritur nga ana e tyre dhe është lënë që bisedohet sërish në të ardhmen për detaje të tjera. Po ashtu, një ftesë i është bërë edhe zëvendëspresidentit të Akademisë “Aspire” të Dohas Tarik Aziz, një prej më të mëdhave në Botë, për të bashkëpunuar me Vllazninë dhe ai po ashtu e ka mirëpritur një ftesë të tillë. Në këtë mënyrë, pjesmarrja e trajnerit Jonuz në këtë seminar shumë të rëndësishëm botëror duket se ia ka vlejtur, jo vetën në aspektin personal por edhe për klubin shkodran që mund të ketë përfitime bashkëpunimesh në të ardhmen me të tilla klube e Akademi shumë të njohura”.

Te fundit


Kthehu lart