Ish-selektori i Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos hodhi akuza të rënda mbrëmë për basketbollin e vendit tonë në një intervistë që e dha për “Basketball Immigrants” në EEC WebRadio.
Ai nuk la të zezë pa thënë për Kombëtaren e Kosovës dhe për basketbollin në përgjithësi.
Njëra prej temave që e preku trajneri grek ishte edhe rasti i një basketbollistit shtatlartë që e kishte marrë, nga, siç tha ai, “fusha e patateve”, shkruan “Gazeta Express”.
Sa u përket kushteve, Marmarinos, i cili tash po punon si skaut në ekipin e NBA-së, Sacramento Kings, deklaroi se udhëtimi në Kosovë ishte si një udhëtim me një makinë kohë që të kthen prapa në vitet e 70-ta.
“Ne e ‘blemë’ një lojtar nga babai i tij, i cili ishte 2.15 metra dhe nuk kishte prekur kurrë top në jetën e vet. Herën e parë që hyri në palestër, ia dhamë topin, i thamë ta fuste në kosh dhe kaq.. dhe ai e nguliste topin sepse nuk dinte sesi ta fuste ndryshe. Pra, shkuam te babai i tij për t’i thënë atij ta lejojë djalin të vijë në stërvitje dhe ai u përgjigj: “Jo, kush do të më ndihmojë t’i nxjerr patatet? Djali im është i vetmi punëtor që kam”, u shpreh Marmarinos.
“Kështu e pyetëm sa duheshin paguar për një punëtor dhe në fund Federata ia jepte 100 euro në muaj që të merrte një punëtor dhe ta linte djalin të stërvitej. Pas 2 vitesh, djali i tij vendosi që i pëlqen fusha e patateve më shumë se basketbolli dhe u largua”, përfundoi trajneri grek.
Por, kush është basketbollisti të cilin e përmendi trajneri Marmarinos?
Pak vite më parë, televizioni “T7” e kishte realizuar një intervistë me basketbollistin Valtrim Rrustemi, i cili konsiderohet si njeriu më i gjatë në Kosovë.
Më poshtë mund ta shikoni intervistën e këtij basketbollisti nga Rahoveci, i cili kishte nisur të merrej me këtë sport pak muaj para se të bisedonte me “T7”. /Gazeta Express/