Ish-presidenti i Perusë e qëllon veten me revole, gjendja e tij është e rëndë


Gazeta Express
17 Prill 2019 17:01

Ish-presidenti i Perusë, Alan Garcia, e ka qëlluar veten dhe është dërguar në spital pak kohë pasi policia shkoi në shtëpinë e tij për ta arrestuar atë si pjesë e një hetimi për korrupsion.

“Gjendja e ish-presidentit është e ndërlikuar. Tash për tash është duke iu nënshtruar një operacioni. I lutemi Zotit që ai ta gjejë forcën”, tha avokati i tij, Erasmo Reyna, i cili ndodhej në spitalin ku po trajtohej ish-presidenti.

Garcia, 69-vjeçar, është një nga politikanët më të njohur në Peru. Ai ka shërbyer dy herë si president i këti shteti të Amerikës Jugore, herën e parë nga viti 1985 deri në vitin 1990 dhe herën e dytë nga viti 2006 deri në vitin 2011.

Që nga përfundimi i mandatit, ai është bërë pjesë e një skandali për korrupsion, i cili kishte nisur në Brazil, por që u përhap në tërë Amerikën Latine. Në të janë përfshirë qindra politikanë dhe udhëheqës biznesesh.

Në fund të vitit të kaluar, ish-presidenti kishte kërkuar strehim në ambasadën e Uruguait në Lima dhe bëri kërkesë për azil, por kërkesa e tij u refuzua dhe ai u kthye në shtëpi.

Sekretari i tij personal, Ricardo Pinedo, tha se policia erdhi në shtëpinë e tij në orët e hershme të së mërkurës për ta dërguar atë në paraburgim dhjetëditor si pjesë e hetimeve.

Pasi e pa policinë, sekretari Pinedo tha se Garcia u mbyll në një dhomë dhe brenda saj u dëgjua një krismë, shkruan “Financial Times”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart