Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka thënë se integrimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të konsolidojë shtetësinë e saj dhe do të forcojë demokracinë.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, uroj që shumë shpejtë, do të jetë një moment historik. Do të ketë ndikim në të paktën katër aspekte relevante; se pari dhe kjo është shumë më rëndësi, do të jetë moment në të cilin shtetësia e Kosovës do të konsolidohet edhe më tutje në nivelin ndërkombëtar”, tha ajo.
Më tej, Caka-Nimani tha se Kosova do i nënshtrohet një autoriteti tjetër që do jetë garanci shtesë për ruajtjen e vlerave të demokracisë, sundimit të ligji dhe të drejtave dhe lirive themelore.
“Së dyti; Fakti që Republika e Kosovës do t’i nënshtrohet një autoriteti supranacional do të jetë një garanci shtesë e ruajtjes së vlerave të demokracisë, sundimit të ligjit por gjithashtu edhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Kjo është e rëndësishme dhe sa i përket mekanizmave monitorues të cilët janë të disponueshëm brenda strukturës së Këshillit të Evropës. Por, kryesisht për shkak të shtrirjes së juridiksionit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut mbi vendimmarrjen e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Kurse, pas kësaj, ish-kryetarja e Kushtetueses përmendi që vendimmarrja do i nënshtrohet një mbikëqyrjeje supranacionale e cila do ndikojë në rritjen e performancës së pushtetit gjyqësor.
“Së treti; përkundër faktit që Konventa ka qenë e aplikueshme në vendin tonë që nga viti 2001, fakti që vendimmarrja do t’i nënshtrohet një mbikëqyrjeje supranacionale vlerësoj unë që do të ketë ndikim edhe në rritjen e cilësisë dhe kualitetit të vetë performancës së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.
Ndërsa, për qytetarët e Kosovës, Caka-Nimani u shpreh se ata do të fitojnë mjet efektiv juridik shtesë.
“Në fund por jo për nga rëndësia; kjo do të ketë një ndikim të madh për secilin qytetar të Republikës së Kosovës sepse ata, secili do të fitojnë një mjet efektiv-juridik shtesë, përkatësisht mundësinë që vendimet e autoriteteve publike në Republikën e Kosovës t’i kontestojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në një gjykatë supranacionale, përkatësisht në GjEDNJ- sigurisht për aq sa mjetet e brendshme juridike janë shterur”, tha ajo.
Përveç kësaj, Caka-Nimani shtoi se anëtarësimi i Kosovës në mekanizma me kompetenca supranacipnale siç është Këshilli i Evropës, do ishte hap jashtëzakonisht përpara për rritjen e cilësisë së demokracisë.
“Anëtarësimi në mekanizma që kanë kompetenca supranacionale të cilat kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm edhe në shtetet e tjera për mbrojtjen e vlerave të demokracisë që është Këshilli i Evropës do të ishte jashtëzakonisht hap përpara dhe siguri shtesë në mirëmbajtjen dhe rritjen e cilësisë së demokracisë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.