Irani thotë se ka zbuluar një rrjet të CIA-s, dënon me vdekje disa persona


Gazeta Express
22 Korrik 2019 10:26

Mediet iraniane kanë raportuar se autoritetet e sigurisë të Iranit i kanë kapur 17 spiunë që punonin për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës në ShBA. Disa prej tyre thuhet se janë dënuar me vdekje.

Televizioni shtetëror e citoi Ministrinë e Inteligjencës, e cila ka thënë se e ka zbuluar një rrjet të spiunazhit të CIA-s dhe i ka arrestuar 17 të dyshuar. Një zyrtar i kësaj ministrie tha se disa prej personave të arrestuar janë dënuar me vdekje.

Njoftimi për arrestimin e këtyre personave erdhi tre muaj pas ngritjes së tensioneve mes Iranit dhe shteteve perëndimore për shkak të rikthimit të sanksioneve amerikane në muajin maj. Javën e kaluar, Irani e konfiskoi një anije britanike në Ngushticën e Hormuzit pasi forcat britanike e konfiskuan një anije iraniane në Ngushticën e Gjibraltarit.

“Spiunët e identifikuar ishin të angazhuar në qendra të rëndësishme private në fushat e ekonomisë, energjisë bërthamore, infrastrukturës, ushtrisë dhe sigurisë kibernetike, ku kanë marrë të dhëna të klasifikuara”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Nuk është e qartë nëse këto arrestime janë të lidhura me një rast tjetër të muajit qershor, kur Irani kishte thënë se e ka zbuluar një rrjet të gjerë spiunimi në fushën kibernetike, për të cilin ishte thënë se udhëhiqet nga CIA, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart