Irani lejon gratë të shikojnë ndeshje futbolli në stadium


Gazeta Express
9 Tetor 2019 8:13

Gratë iraniane do të kenë mundësi të hyjnë në një stadium futbolli të enjten për herë të parë në disa dekada, pasi FIFA e kërcënoi republikën islamike me përjashtim nga kjo organizatë për shkak të politikës kundërthënëse për moslejimin e grave në stadiume.

Iran e kishte ndaluar praninë e grave në ulëset e stadiumeve të futbollit dhe të sporteve të tjera për rreth 40 vjet. Klerikët fetarë thonë se gratë duhet të mbrohen nga atmosfera mashkullore dhe burrat gjysmë të zhveshur që vrapojnë në fushë.

Organi qeverisës botëror i futbollit e urdhëroi Iranin muajin e kaluar që t’i lejojë gratë në stadiume pa ndonjë kufizim dhe në numra të caktuar nga kërkesa për bileta. Ky urdhër erdhi pas raportimeve se një tifoze futbolli në Iran vdiq pasi ia vuri flakën vetes nga frika se do të burgosej pasi ishte veshur si burrë për të hyrë në një stadium.

Gratë menjëherë filluan t’i blejnë biletat për kualifikimet e Kupës së Botës, në të cilat Irani do të luaj kundër Kamboxhias. Grupi i parë i biletave u shit për më pak se një orë. Një zyrtar i Ministrisë së Sportit tha se stadiumi me kapacitet prej 100 mijë ulësesh është gati të presë edhe më shumë gra.

Njëra nga 3500 gratë që siguroi biletë për këtë ndeshje është edhe Raha Poorbakhsh, gazetare e futbollit. Ajo tha: “Ende nuk po mund të besoj se kjo do të ndodhë, sepse tërë këto vite lojërat i kam shikuar në televizor. Tash mund t’i përjetoj të gjitha drejtpërdrejt”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart