Irani arreston personin që e publikoi videon e rrëzimit të aeroplanit ukrainas


Gazeta Express
15 Janar 2020 8:31

Autoritetet iraniane kanë njoftuar se e kanë arrestuar personin që e kishte incizuar rrëzimin e aeroplanit ukrainas pas goditjes nga një raketë. Besohet se personi i arrestuar do të akuzohet për rrezikim të sigurisë kombëtare.

Aeroplani i kompanisë “Ukraine Interantional Airlines” ishte rrëzuar disa minuta pasi ishte ngritur në qiell nga aeroporti i Tehranit të mërkurën e javës së kaluar. Të gjithë 176 personat që ndodheshin në të e humbën jetën.

Irani ka thënë se aeroplani është rrëzuar aksidentalisht dhe njoftoi për arrestimin e disa personave në lidhje me këtë rast.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se hetimet për këtë aksident do të zhvillohen nga një gjykatë speciale. “Ky nuk do të jetë një rast i zakonshëm. E tërë bota do ta përcjellë punën e kësaj gjykate”, tha ai gjatë një fjalimi.

Irani fillimisht kishte mohuar se aeroplani është goditur nga raketa, por më vonë pranoi se aeroplani u rrëzua përmes sistemit të mbrojtjes ajrore.

Ndryshe, shumica e viktimave ishin iranianë dhe kanadezë. Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka premtuar drejtësi për këtë rast, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart