Kthehu lart

Tahiri: Kosova është bërë “strehë e pasigurt” për kriminelët

Tahiri: Kosova është bërë “strehë e pasigurt” për kriminelët GazetaExpress

Fytyra e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit në arenën ndërkombëtare është bashkëpunimi juridik ndërkombëtar. Kështu deklaroi në një intervistë, i pari i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Sipas tij, sukses është arritur sidomos në luftimin e krimit rajonal dhe transnacional, kur gjatë një viti, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ekstraduar nga shtetet e huaja për në Kosovë dhe anasjelltas 76 persona të kërkuar nga organet gjyqësore. “Ky është numër rekord deri tani për një vend te vogël siç është Kosova, çka do të thotë që Kosova është bërë “strehë e pasigurt” për kriminelët, gjë që është vlerësuar lart nga shtete të ndryshme të BE-së dhe partnerët ndërkombëtar” theksoi Tahiri.

Prej ardhjes në krye të Ministrisë së Drejtësisë keni deklaruar se një ndër objektivat tuaja është edhe forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, cilat janë të arriturat e Ministrisë në këtë dikaster?

Ministri Tahiri: Avancimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar paraqet fytyrën e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit në arenën ndërkombëtare. Përmes saj tregohet kapaciteti profesional e shtetëror i institucioneve të brendshme të rendit dhe ligjit dhe kjo, në anën tjetër, e reflekton Kosovën në arenën ndërkombëtare si shtet serioz dhe i barabartë që, në bashkëpunim me shtetet tjera, është në gjendje të luftoj krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore, imigrimin ilegal dhe sfida tjera me të cilat përballën sot shtetet në një botë të globalizuar dhe të ndërvarur.

Sa i përket lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare me shtete të ndryshme, a keni mundur të rrisni numrin a tyre?

Ministri Tahiri: Kosova ka interes reciprok sa i përket bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Kemi rritur numrin e marrëveshjeve bilaterale me shtete tjera në mënyrë të konsiderueshme. Janë nënshkruar (dhe ratifikuar nga Kuvendi) 2 marrëveshje me Hungarinë; janë finalizuar 5 marrëveshje me 3 shtete dhe është iniciuar nënshkrimi i 22 marrëveshjeve me 12 shtete tjera. Është e kuptueshme se zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të bëjë më efikase luftën kundër krimit te organizuar. Krejt kjo duhet parë në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare që po bënë Kosova si aktorë dhe subjekt ndërkombëtar serioz dhe i aftë për të lidhur dhe zbatuar marrëveshje dypalëshe me shtetet e botës.

Sa ekstradime janë realizuar prej se ju jeni Ministër i Drejtësisë?

Ministri Tahiri: Mund të them, pa modesti, se gjatë këtij viti sa jam në krye të Ministrisë është realizuar një rekord ekstradimesh. Gjithsej janë realizuar 76 ekstradime nga shtetet e ndryshme të botës për në Kosovë dhe anasjelltas. Kjo dëshmon qartazi seriozitetin e Ministrisë në bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë me shtete dhe institucione tjera me qëllim të luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprave tjera ligjërisht të dënueshme që kanë shtrirje dhe karakter ndërkombëtar. Tre muajt me numrin më të lartë të ekstradimeve janë: muaj janar, me gjithsej 12 ekstradime të realizuara; muaj mars me 11 ekstradime dhe muaji qershor me 9 ekstradime. Ky është sukses i përbashkët i institucioneve të Kosovës, sepse siç e dini, në këtë fushë, ne bashkëpunojmë edhe me gjykata, prokurori e polici.

Cilat janë veprat penale në të cilat ka qenë numri më i madh i ekstradimeve?

Ministri Tahiri: Tri llojet e veprave më të shpeshta për të cilat është kompletuar ekstradimi janë: “vjedhje e rendë”, me gjithsej 13 raste; “blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar i narkotikëve”, me 10 raste dhe “vrasje e rendë”, “kontrabandë me emigrant” e “grabitje” me gjithsej nga 5 raste për secilën vepër.

Ne pranojmë me qindra kërkesa për ekstradim të cilat marrin kohë deri sa të komplentohen. Kjo ndodh sepse secili veprim duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe janë bërë rreth 60 kërkesa për ekstradime për vjedhjeve. Kurse, 43 kërkesa për aktivitete të paligjshme që lidhën me trafikimin me substanca narkotike. Është interesant të theksohet se ndër veprat për të cilat ka kërkesa për ekstradime është edhe vepra e “mashtrimit në votime”. Kjo është dëshmi e punës serioze të institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu, është sinjal i qartë për të gjithë ata që mendojnë të bien ndesh me ligjin, duke manipuluar me vullnetin elektoral të qytetarëve, se do të jemi të pakompromis në mbrojtje të vlerave fondamentale, demokratike dhe ligjore.

Cilat janë shtetet nga të cilat janë realizuar ekstradimet më së shpeshti?

Ministri Tahiri: Numri më i madh i shteteve nga i cili janë kompletuar ekstradimet është Gjermania, me gjithsej 19 ekstradime. Shteti i dytë është Zvicra, me gjithsej 10 ekstradime. Këto shifra kanë logjikë sepse dihet se në këto shtete është i përqendruar numri më i madh i shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në mërgim. Kurse, nga 5 ekstradime janë realizuar me Shqipërinë dhe Italinë.

Në anën tjetër, numri më i madh i ekstradimeve nga Kosova për në shtete tjera ka ndodhur poashtu me Gjermaninë, respektivisht 8 ekstradime. Një gjë e tillë dëshmon një bashkëpunim shumë të mirë në mes të shtetit gjerman dhe Kosovës sa i përket bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Gjithashtu, kjo tregon zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes për ekstradim në mes të këtyre dy vendeve. Vendin e dytë ku janë realizuar ekstradimet nga Kosova janë: Belgjika, Austria, Shqipëria dhe Zvicra. Në secilin nga këto shtete janë realizuar nga 3 ekstradime.

Për fund, Ministër si i vlerësoni kapacitetet e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit nacional dhe transnacional?

Ministri Tahiri: Dua të theksoj se Ministria e Drejtësisë ka zbatuar politikat e veta, dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në luftimin e krimit rajonal dhe transnacional, duke mbajtur kontakte, shkëmbyer informata lidhur me personat e kërkuar përmes shteteve të ndryshme, dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur që për më pak se një vit, t’i ekstradoj nga shtetet e huaja për në Kosovë dhe anasjelltas 76 persona të kërkuar nga organet gjyqësore. Ky është numër rekord deri tani për një vend te vogël siç është Kosova, çka do të thotë që Kosova është bërë “strehë e pasigurt” për kriminelët, gjë që është vlerësuar lart nga shtete të ndryshme të BE-së dhe partnerët ndërkombëtar./Express/

    Data: 12 Shtator 2018 14:53
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera