Kthehu lart

Nënkryetari i PDK’së: Maksimumi i dialogut bashkimi i Luginës me Kosovë, minimumi integriteti territorial

Nënkryetari i PDK’së: Maksimumi i dialogut bashkimi i Luginës me Kosovë, minimumi integriteti territorial GazetaExpress

Memli Krasniqi, aktualisht njeriu i dytë në PDK, po mendon se s’ka asgjë të keqe pse dikush në Kosovë po e kërkon Luginën e Preshevës, si maksimum i një procesi në kuadër të Marrëveshjes Finale me Serbinë.

Sipas tij, minimumi është integriteti territorial i Republikës së Kosovës.

“Neve na takon që ta kërkojmë maksimumin dhe në këtë kuadër minimumi do të ishte integriteti territorial i Kosovës e pse jo maksimumi të jetë bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, sipas vullnetit të shprehur në Referendumin e shqiptarëve të atjeshëm”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për Gazetën Express.

Shefi i deputetëve të PDK’së po e sheh papjekuri politike idenë e opozitës që në Parlament të flitet për ndarje e shkëmbim territoresh. Ai po kërkon që në institucionin më të lartë duhet të flitet për Platformën dhe qëllimet e dialogut.

Krasniqi ka thënë se LDK dhe partitë opozitare janë zgjuar vonë nga gjumi meqë idenë për moscenueshmërinë e Kosovës e kanë prezantuar në Platformën e prezantuar në fillim të këtij viti.

Mirëpo, ka thënë se asnjëra prej partive opozitare s’kanë dashur të flasin kur PDK kishte prezantuar vijat e kuqe të dialogut.

Express: Cili është pozicioni i PDK’së për dialogun, për korrigjimin e kufijve për shkëmbimin e territoreve?
Memli Krasniqi: Pozicioni i PDK’së është i qartë. Është konsistent dhe e kemi prezantuar dhe e kemi mbajtur me muaj e vite të tëra. PDK, në fakt, është partia e vetme që publikisht dhe zyrtarisht ka prezantuar një Platformë, të cilën ua kemi shpërndarë të gjitha partive politike. Fillimisht, e kemi prezantuar në Tryezën e 8 majit, ku e kemi dorëzuar zyrtarisht pastaj edhe më 13 korrik. Për fat të keq, asnjë parti nuk na ka kthyer as komente, as përgjigje, as nuk kanë shpjeguar se cilat pikët i mbështesin e cilat jo. Kjo Platformë i përmban edhe parimet themelore e deri tek vijat e kuqe. Sot, ky insistim i Opozitës për të thirr një seancë, pikërisht, në fokus i ka një pjesë të vijave të kuqe të prezantuara nga PDK’ja.

..nuk e shoh domosdoshmërisht problematike diskutimin potencial të integrimit të Luginës së Preshevës. Ne nuk e dimë nëse ndodh apo jo. Por, neve nuk do të duhej të na pengonte hapja e kësaj teme në dialogun e Brukselit

Express: Ndërkohë, është një nismë e Presidentit Thaçi se mund të ketë korrigjim të kufijve?
Memli Krasniqi: Nga leximi im i deklaratave të Presidentit e kam pa se ai po flet për një korrigjim të kufijve, potencialisht, për ta integruar Luginën e Preshevës në Kosovë. Por, ajo që mua më bën me u çuditë, është fakti, se pse Opozita po e përkthen këtë ide të korrigjimit të kufijve si ndarje të Kosovës. Rreziku i seancës nga mënyra se si është thirrur dhe si është proklamuar është legjitimimi në institucionin më të lartë të Kosovës, temën e ndarje së Kosovës, për çka ne si PDK mendojnë se kjo çështje as nuk duhet të diskutohet.  E shohim si shumë problematike dhe tendencioze faktin se Opozita dëshiron të diskutojë ndarjen e Kosovës në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht, a është kundër ndarjes  apo pro. Ne mendojmë se kjo temë nuk meriton as të diskutohet. Ndërsa, sa i përket korrigjimit të kufijve, unë besoj se të gjitha partitë politike shqiptare bashkëndjenje me situatën shumë të rëndë të bashkëkomasve tanë në Luginën e Preshevës. Nëse deri sot nuk ka pasur një kontekst politik as për ta diskutuar vullnetin e tyre qysh para më shumë se 25 vitesh, atëherë, nuk e shoh domosdoshmërisht problematike diskutimin potencial të integrimit të Luginës së Preshevës. Ne nuk e dimë nëse ndodh apo jo. Por, neve nuk do të duhej të na pengonte hapja e kësaj teme në dialogun e Brukselit. Pavarësisht, kësaj qëndrimi ynë është i qartë.

Express: Më së shumti akuza ka pasur prej partive opozitare, përkatësisht Avdullah Hoti e LDK, e cila po konstaton e PDK e përkrahë ndarjen e Kosovës?
Memli Krasniqi: Etja për pushtet dhe inatet politike ua kanë mjegullu edhe arsyeshmërinë dhe arsyen e shumicës së liderëve opozitarë, në këtë rast, edhe Avdullah Hoti, të cilin e pash se kishte thënë se PDK i paska ra vonë në mend të flasë për këtë temë. PDK është e para, që në formë të shkruar, përmes Letrës së Kryetarit z. Veseli, ua ka dërguar qëndrimin liderëve politik, në fillim të këtij viti, ju ka ofru partive politike, Pozitë-Opozitë, që të mblidhen për tema të rëndësisë Nacionale dhe të diskutojnë për modelin dhe qasjen që do ta kemi karshi dialogut, për Platformën, për Ekipin, dhe normalisht edhe për vijat e kuqe, që i kemi prezantuar shumë kohë më parë, para se LDK të kujtohet apo cilado parti tjetër opozitare të deklarohen për këto parime. Të gjitha deklarimet kundër PDK’së janë deklarime për konsum politik ditor. Për të fituar potencialisht ndonjë poen politikë. Lufta politike për çështje të karakterit të brendshëm është legjitime dhe e natyrshme. Por, ajo çka është fatkeqësi në këtë moment është kur për çështjen e dialogut, në Fazën Përfundimtare, kur duhet të përfundojë konflikti i ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe me arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht obligative, që do të rezultonte me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB, kur bëhet politikë me këtë çështje, duke menduar në ndonjë votë, atëherë, s’kemi të bëjmë me përgjegjësi qytetare dhe as politike. Është e kundërta. Është ikje prej përgjegjësisë, të cilëve qytetarët na e kanë dhënë me votën e tyre.

Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë Rezolutë gjithëpërfshirëse, e cila i jep së pari mbështetje dialogut. I shpreh saktë dhe qartë qëllimet e Kosovës në dialog. Të cilat për PDK’në janë arritja e një Marrëveshje obligative dhe njohja e ndërsjellët e Kosovës dhe Serbisë

Express: Megjithëkëtë, dy partitë politike në pushtet, AAK dhe NISMA e kanë përkrahur një iniciativë të Opozitës për një Rezolutë kundër korrigjimit e shkëmbimit të territoreve?

Memli Krasniqi: Kuvendi është institucioni më i lartë dhe për çdo çështje që lidhet me dialogun duhet ta thotë fjalën e vetë finale. Rrjedhimisht, sikurse në të kaluarën në dialogun e Brukselit, siç janë ratifikuar Marrëveshjet me 2/3 e deputetëve, edhe Marrëveshja Finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse arrihet, duhet absolutisht që të ratifikohet me 2/3 e deputetëve të Kuvendit. Kjo çështje është e padiskutueshme dhe është qëndrim i shprehur dhjetëra herë nga PDK. Ne mendojmë se kur flasim për diskutim në Kuvendin e Kosovës, të mos diskutojmë vetëm për një çështje. Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë Rezolutë gjithëpërfshirëse, e cila i jep së pari mbështetje dialogut. I shpreh saktë dhe qartë qëllimet e Kosovës në dialog. Të cilat për PDK’në janë arritja e një Marrëveshje obligative dhe njohja e ndërsjellët e Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO. Pastaj duhet të diskutohet për Platformën unifikuese nacionale që ne duhet ta miratojmë bashkërisht dhe që do të jetë Dokumenti orientues dhe drejtues i pozicionit të Kosovës në dialog. Dhe, normalisht, për të rikonfirmuar pacenueshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe shtetësisë së Kosovës. Të gjitha këto janë të kodifikuara në Kushtetutën e Kosovës. Asnjë rezolutë e Kuvendit nuk mund të ketë fuqi më të madhe se Kushtetuta, e cila e thotë qartë se territori i Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm. Besoj se ne duhet, Pozitë-Opozitë ta rikonfirmojmë qëndrimin për pikat tona të përbashkëta që i ceka më herët.

Neve na takon që ta kërkojmë maksimumin dhe në këtë kuadër minimumi do të ishte integriteti territorial i Kosovës e pse jo maksimumi të jetë bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën

Express: Kur po flasim për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovës, a besoni se mund ta marrë Kosova një pjesë të Serbisë ka dhënë asgjë?

Memli Krasniqi: Fatkeqësisht, në Kosovë, ka pasur shumë njerëz në politikë, mund të ketë ende që merren me politikë, që nuk kanë besuar se Kosova mund të bëhet Shtet i pavarur. Ka prej tyre që nuk kanë besuar as që Kosova mund të çlirohet nga Serbia e aq më pak të bëhet Shtet. Ka prej tyre që ndoshta janë edhe deputetë, që pak para shpalljes së pavarësisë, kanë thënë se Kosova nuk mund të bëhet Shtet i pavarur. Ky mentalitet i mosbesimit në potencialet dhe aftësitë e Kosovës për të arritur qëllimet e veta, nuk duhet të merr fuqi dhe të bëhet pengues në arritjet e këtyre objektivave. Sot është e pamundur që kushdoqoftë se cila mund të jetë Marrëveshja Finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, është komplet e pakuptimtë, është papjekuri politike, cilado fortë politike, të bëhet një element frenues në qëllimet që mund të jenë më të mëdha se sa Marrëveshja Finale. Është gabim që ne sot ta themi se nuk mund ta arrijmë këtë. Neve na takon që ta kërkojmë maksimumin dhe në këtë kuadër minimumi do të ishte integriteti territorial i Kosovës e pse jo maksimumi të jetë bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, sipas vullnetit të shprehur në Referendumin e shqiptarëve të atjeshëm.

    Data: 01 Shtator 2018 16:15
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera