Kthehu lart

Nenad Rashiq: Asociacioni, pa kompetenca ekzekutive

Nenad Rashiq: Asociacioni, pa kompetenca ekzekutive GazetaExpress

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, gjatë një interviste ka folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa për formimin e ushtrisë ka thënë se kjo nuk është çështje urgjente e Kosovës kur vendi de facto është në NATO.

Zëri: Në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohet edhe për statutin e Asociacionit. Në bazë të procesverbaleve të ekipit menaxhues draftstatuti i Asociacionit është përgatitur me kompetenca ekzekutive. A prisni se do të ketë kompetenca të tilla Asociacioni apo do të ndryshohet ky draftstatut?

Rashiq: Në sistemin e Kosovës momentalisht nuk ka as hapësirë e as mënyrë për ndërtimin e një niveli të tretë të pushtetit dhe këtë mund ta kuptoni nëse i merrni të dyja marrëveshjet, atë të vitit 2013 dhe atë të vitit 2016. Të dyja thonë të njëjtën gjë në pikën se marrëveshja duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Nga kjo duhet të kuptojmë që të mos biem në grackat e dy presidentëve që po përdorin të njëjtën gjë, duke e folur ndryshe, të dyja dokumentet tregojnë se çfarëdo marrëveshjeje duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën.

A mendoni se një Asociacion me kompetenca ekzekutive do t’i zgjidhte problemet e serbëve në Kosovë dhe a do ta bllokonte funksionimin e shtetit të Kosovës?

Rashiq: Kompetencat ekzekutive nuk kanë se si të formulohen. Qëllim ka qenë krijimi i një mekanizmi mbi komunat serbe që do ta mbikëqyrë saktë punën që po bëhet në ato komuna. Kjo vetëm po shitet si diçka e madhe dhe në fund kjo nuk do të këtë një rëndësi të madhe në cilëndo kompetencë ose mekanizëm të pushtetit, prandaj nuk shoh ndonjë hapësirë për krijimin e nivelit të tretë të pushtetit.

Nenad Rashiq, gjatë kësaj interviste ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë luftë të re, prandaj Gjermania nuk dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, Nenad Rashiq, duke shtuar se disa nga shokët e tij, bashkëpunëtorët e tij serbë, kanë vendosur të ikin nga Kosova pikërisht nga tensioni i krijuar muajve të fundit nga të dy presidentët.

    Data: 29 Gusht 2018 14:31
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera