Devaja: Kisha Ortodokse të distancohet nga krimet, të marrë rol për pajtimin e popujve


16/01/2019

Gazeta Express: Pse sa herë që acarohet situata në Kosovë, një nga akterët kryesorë bëhet Kisha Ortodokse Serbe? Kryepeshkopi Irinej, me rastin e protestave të nënave gjakovare ndaj vizitës së pelegrinëve serbë, ndërhyri me deklaratat e tij frikësuese për popullatën serbe, se gjoja atyre u kanoset shfarosja në Kosovë.

Valdet Devaja: Së pari duhet qartësuar, nënat gjakovare nuk janë kundër ardhjes së serbëve që kanë për qëllim t’i kryejnë ritet e tyre fetare. Nënat gjakovare janë kundër ardhjes së “pelegrinëve” serbë të cilët kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nuk është hera e parë që kryepeshkopi Irinej jep deklarata, të cilat ngjallin frikë në popullatën serbe për gjoja rrezikun e shfarosjes së tyre nga ana e shqiptarëve. Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kishës Ortodokse Serbe në fund të vitit që shkoi, Irinej i dërgoi mesazhe popullatës serbe se nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje me popullin e Kosovës dhe se toka e humbur me dhunë duhet të kthehet me dhunë, që madje nga disa politikanë opozitarë serbë në Serbi këto deklarata të kyepeshkopit të Kishës serbe u konsideruan si deklarata luftënxitëse. Dhe deklaratën e fundit e shoh vetëm si hallkën e fundit në zinxhirin e asaj që kanë prodhuar në vazhdimësi klerikët serbë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Por, jo me pak të rrezikshmen.

Gazeta Express: Në çfarë mase Kisha Serbe është involvuar historikisht në punët e shtetit, apo në atë që u quajt ‘mbrojtje e qenësisë kombëtare serbe’? Këtu sidomos duhet ta veçojmë përzierjen e Kishës Ortodokse Serbe në konfliktin e vendeve të ish Jugosllavisë.

Valdet Devaja: Qysh në vitin 1219, kur u themelua Kisha Ortodokse Serbe, kryepeshkopi i saj Shën Sava është akuzuar se është një ‘politikan në petkun e krypeshkopit’. Akuzat i erdhën nga Kryepeshkopata e Ohrit, e cila ishte nën hierarkinë e Patrikanës së Konstatinopojës. Andaj qysh nga themelimi i saj Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol të madh në politikëbërje të shtetit serb. Me ardhjen e Sllobodan Milloshevicit në krye të politikës serbe, dhe fillimit të shpërbërjes së Republikës Federative të Jugosllavisë, Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rol të madh në përhapjen  e nacionalizmit serb dhe aspiratave që serbet të jetojnë në një shtet të vetëm, veprime të cilat kanë shkaktuar një luftë të tmerrshme fillimisht në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, duke shkaktuar viktima të mëdha në njerëz, dëme materiale si dhe shkatërrimin e objekteve fetare katolike e myslimane. Kisha Ortodokse Serbe ka qenë aktive edhe pas fillimit të luftimeve duke mbajtur ligjërata nacionaliste nëpër kazermat ushtarake, duke inspiruar ushtarët serbë, siç është rasti i tmerrshëm në masakrën e Srebernicës në Bosnje e Hercegovinë, kur paramilitarët e njësisë ‘Skorpioni’ u bekuan nga prifti serb pak para se të kryejnë masakrat ndaj popullatës myslimane. Kriminelet e luftës, Radovan Karaxhic, Ratko Mlladiq dhe Zhelko Razhnjatovic-Arkan, dihet se janë bekuar nga klerikët e Kishës Serbe. Kur Tribunali i Hagës shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm për kriminelin e luftës Ratko Mlladic, Patriarku Irinej kishte protestuar ashpër duke deklaruar po ashtu se fuqitë e mëdha botërore ‘kryejnë punët e djallit’ dhe se padrejtësisht vetëm gjeneralët serbë po dënohen!  Kisha serbe edhe sot e kësaj dite nuk pranon se forcat serbe në Srebernicë kanë kryer gjenocid ndaj popullatës myslimane. Çdo propozim për zgjidhje paqësore nga ana e bashkësisë ndërkombëtare  qoftë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, apo edhe në Kosovë, është refuzuar nga Kisha Serbe. Prandaj nuk është çudi që edhe kanë dështuar.

Gazeta Express: Cili është sot ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, posaçërisht në trevat ku jetojnë shqiptarët?  

Valdet Devaja: Ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi është ende i madh. Nga pavarësimi i Malit te Zi kisha serbe në vazhdimësi ka akuzuar qeverinë malazeze për tradhti dhe mohon identitetin kombëtar malazez. Propaganda e Kishës serbe posaçërisht është e theksuar në trevat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi. Provokimet bëhen në mënyra të ndryshme. Psh., opinioni është i njoftuar me rastin e dërgimit me helikopter ushtarak, në malin Rumi, të kishës së ndërtuar nga llamarina, pa lejen e institucioneve kompetente shtetërore dhe pa fakte historike se aty ka ekzistuar një kishë. Pastaj incidenti në Kishën Katolike Shqiptare në Shas, njërën prej 365 kishave të këtij lokaliteti Arkeologjik shqiptar të krishterë. Vetë mitropoliti Amfilohije Radovic, ka tentuar të mbajë meshë brenda kishës, por pas institimit të banorëve shqiptarë që jetojnë në ato treva, policia malazeze ndërhyri dhe nuk e lejoi mitropolitin Amfilohije të mbajë meshën në brendinë e kishës. Megjithatë, mesha u mbajt jashtë saj. Pastaj kemi rastin e përvetësimit të themeleve të një kishe katolike shqiptare në afërsinë e fshatit Moric në Krajë. Po ashtu tentimi i kohëpaskohshëm për të vendosur kryqin ortodoks në gërmadhat e një kishe në brendësinë e Kalasë së Ulqinit tregon mjaft për provokimet e Kishës ortodokse serbe që i bënë shqiptarëve në Mal të Zi. Edhe pse deri më tash popullata shqiptare e Malit të Zi i është shmangur këtyre provokimeve, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë tensionim të situatës e edhe incidente më të rënda.  

Gazeta Express: Kur flitet për Serbinë e serbet, ose Kishën Ortodokse, pashmangshmërisht flitet edhe për një ndikim të shtetit rus në këto treva.

Valdet Devaja: Serbia është e influencuar nga politikat ruse, e cila për interesat e saja gjeopolitike dhe gjeostrategjike punon  që ta largojë Serbinë nga integrimet evropiane. Ajo është e koncentruar të ketë ndikim në katër drejtime: pushtetin serb, Kishën, organizatat studentore dhe organizatat politike të krahut të djathtë ekstrem. 

Gazeta Express: A po vazhdon rryma nacionaliste e Kishës Ortodokse Serbe të shtrijë ndikimin e saj te partitë e ndryshme dhe në punët e shtetit?

Valdet Devaja: Qysh nga fundi i viteve tetëdhjetë, me rënien e ish sistemit jugosllav, brenda Kishës Ortodokse Serbe është ringjallur rryma e fuqishme e cila është formuar nga klerikët serbë gjate viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, ideolog i së cilës ishte episkopi Nikollaj Velimirovic. Kjo rrymë promovon të ashtuquajturin ‘svetisavski nacionalizam’ që dmth një nacionalizëm qe buron nga mësimet e Shën Savës dhe i cili është përzierje e nacionalizmit serb dhe klerikalizmit, lëvizje kjo e frymëzuar dhe përkrahur nga Kisha Ortodokse Ruse. Kjo rrymë radikale është kundër Perëndimit dhe vlerave që përfaqëson demokracia perëndimore.  Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë ka arritur të jetë ne anën e pushtetit dhe ne ketë mënyrë t’i realizojë qëllimet e veta. Së fundi ka arritur qe nëpër shkollat fillore e të mesme, të fusë lëndën e mësimbesimit ‘veronauka’, si dhe ka arritur të thithë fonde të majme nga buxheti i shtetit, ndërsa në anën tjetër partitë politike sigurojnë për vete mbështetjen e kishës gjatë zgjedhjeve dhe vazhdojnë ta jetojnë simbiozën e tyre politike. 

Gazeta Express: A dihet për një ndikim të tillë të religjioneve të tjera në Ballkan, sidomos në shtetet e ish Jugosllavisë?

Valdet Devaja: Pas rënies së sistemit në ish Jugosllavi kishte një rritje të nacionalizmit në të gjitha republikat e Jugosllavisë, por ai nacionalizëm ka qenë i kontrolluar, sepse këto vende nuk kanë pas qëllime ekspansioniste ndaj fqinjëve. Ndërsa që krerët fetarë si ata myslimanë apo katolikë, kanë qenë afër besimtarëve të tyre në këto kohë të vështira, por pa rolin e nxitjes së nacionalizmit ekspansionist. 

Gazeta Express: Pse ende Kisha serbe ndërton mure ndarëse? Kemi Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës dhe monumentet e tjera të trashëgimisë historike e shpirtërore të kosovarëve, të cilat tash mbahen të uzurpuara, në njëfarë forme, nga ky institucion dhe larg mundësisë që ato të frymëzojnë paqe shpirtërore e laramani besimesh.

Valdet Devaja: Kisha serbe dhe ideologjia e saj është e bazuar mbi mitin serb për Kosovën,  që është shtyllë kryesore e identitetit nacional serb e të cilin e favorizon dhe fuqizon kisha serbe. Në emër te këtij miti, shteti serb ka kryer krime edhe mbi shqiptarët dhe për këtë gjë ka gjetur po ashtu përkrahjen edhe të Kishës serbe. Historikisht dihet se Kisha serbe shpeshherë edhe vete ka marr pjesë në krime ndaj popullatës shqiptare si p.sh në luftërat ballkanike. Për këto tmerre ka shkruar edhe politikani serb  Dimitrie Tucovic, i cili si oficer i ushtrisë serbe ka përshkruar krimet në trevat shqiptare, të cilat u kryen nga ushtria serbo malazeze. Roli i Kishës në këto krime ka qene në mënyre direkte, ku me ndihmën e ushtrisë me mijëra shqiptarë u konvertuan dhunshëm në fenë ortodokse nga klerikët ortodoksë serbë. Muret ndarëse që ndërton Kisha serbe në Kosovë, si në Manastirin e Deçanit, e edhe në Patrikanën e Pejës, kanë për qëllim t’i tregojnë botës për gjoja rrezikun që i kanoset serbëve dhe ‘trashëgimisë së tyre’ nga shqiptarët. Kohëve të fundit kjo ndodhi po ashtu edhe duke iu referuar ngjarjeve të vitit 2004  ku fatkeqësisht u dëmtuan 35 kisha ortodokse. Megjithatë, populli i Kosovës mori përgjegjësinë dhe dënoi këto akte të shëmtuara. Po ashtu edhe të gjitha institucionet e Kosovës si dhe Bashkësia Islame e Kosovës e Ipeshkvia e Kosovës dënuan këto akte. Nga buxheti i Kosovës u ndanë dhjetëra miliona euro për rindërtimin dhe konservimin e kishave të dëmtuara edhe pse këto ngjarje kurrë nuk u ndriçuan nga pushteti i atëhershëm i UNMIK-ut dhe nuk u kuptua saktë se nga kush u organizuan. Ndoshta nuk është e rastësishme se vetëm dhjetë muaj para se të ndodhin trazirat e 2004, shteti serb në emër të tij ka nominuar për pranimin e Manastirit të Deçanit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, kërkesë kjo që  fillimisht u refuzua nga UNESCO, por menjëherë pas ngjarjeve të 2004, UNESCO e pranoi  me të njëjtin aplikim, të cilin e kishte refuzuar në fillim dhe futi Manastirin e Deçanit në listën e trashëgimisë botërore si dhe në listën e trashëgimisë botërore në rrezik në vitin 2006. Manastirit të Deçanit i bashkohen edhe 3 kisha tjera ortodokse: Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës, si dhe Kisha e Levishes në Prizren si dhe marrin emrin e përbashkët: Monumentet Mesjetare në Kosovë.  Ndërsa dihet se gjatë luftës së fundit në Kosove u shkatërruan 225 xhamia, si dhe disa kisha katolike. E Kisha serbe asnjëherë nuk e ngriti zërin për t’i dënuar këto akte të tmerrshme që u kryen nga forcat militare dhe paramilitare serbe.

Gazeta Express: Sot cili do të mund të ishte roli konstruktiv i Kishës, në mënyrë që të ushqehet një jetesë e përbashkët me respektim të ndërsjellë të vlerave, kulturave e besimeve? Cila është detyra e shtetit në sigurimin e këtij roli?

Valdet Devaja: Kisha mund të ketë rol konstruktiv për pajtimin e popujve, duke iu kthyer misionit të vërtetë të saj i cili është përhapja e dashurisë mes njerëzve dhe falja. Por, Kisha serbe së pari duhet të distancohet nga krimet që janë bërë edhe në emër të saj dhe t’ju kërkojë falje popujve që pësuan nga politikat e shteti serb të cilat u bekuan nga Kisha serbe. Kisha serbe duhet t’i ndalojë provokimet që bëhen ndaj shqiptareve gjatë manifestimeve fetare në Republikën e Kosovës. Ndërsa detyra e shtetit është që të sigurojë jetë të qetë për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës pavarësisht përkatësisë fetare. Institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës por edhe shoqëria kosovare ka qene tolerante ndaj provokimeve të Kishës serbe sidomos gjatë festës së përvitshme të Vidovdanit e cila mbahet në Gazimestan ku është bërë tradicionale të ofendohen shqiptarët në baza nacionale dhe fetare, si dhe të glorifikohen kriminelët e luftës. Shumica e këtyre “pelegrinëve” i takojnë grupeve të ekstremit te djathtë, të quajtur: ‘otačastveni pokret Obraz’, lëvizja ‘Zavetnici’, ‘Dveri’, ‘Srpski preoporod’, etj., që po ashtu gëzojnë përkrahjen e Kishës serbe. Andaj detyra e shtetit është që të parandalojë provokimet e kujtdoqoftë, si dhe nëse ka nevojë ta ndalojë hyrjen edhe të kryepeshkopit serb nëse vazhdon me  fjalimet dhe predikimet e  tij luftënxitëse që rrezikojnë sigurinë shtetërore dhe janë kundër rendit kushtetues.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart