Interi nuk do t’i ndëshkojë yjet e veta si, Romelu Lukaku, Achraf Hakimi, Ivan Perisic dhe Ashley Young, pasi ata u kapën jashtë hotelit të tyre nga policia pasi kishte hyrë ora policore të mërkurën pasmesnatës.
Lojtarët zikaltër u ndaluan dhe u sanksionuan nga policia në orën 3 të mëngjesit për, siç ishte raportuar fillimisht, bredhje jashtë deri në orët e mëngjesit pas festimit të ditëlindjes së Lukakut, transmeton Gazeta Express.
Mediat italiane raportojnë se ata nuk do të ndëshkohen nga klubi.
Transmetuesi SportMediaset raporton se Interi s’e ka ndërmend t’i gjobisë lojtarët e vet, sepse nuk kishte aheng për ditëlindjen e belgut, por vetëm një darkë pas ndeshjes së djeshme që kishte zgjatur përtej kohës së lejuar.
Lukaku, Hakimi, Perisic dhe Young u ndaluan nga policia dhe u dënuan pasi e kishin shkelur orën policore, kur kishin dalë nga hoteli për të shkuar në shtëpitë e veta përkatëse.
Ata nuk do të ishin dënuar nga policia sikur të kishin qëndruar në hotel. /Gazeta Express/